Vaksina po shihet si opsioni i vetëm për ta zvogëluar numrin e të prekurve me Covid-19 në vend kështu pohojnë profesionistët shëndetësor.
Drejtori i Klinikës Emergjente, Basri Lenjani, në një prononcim për Ekonomia Online ka thënë se vaksinimi është e vetmja mënyrë për të tejkaluar këtë gjendje, transmeton Gazeta Enigma.
Lenjani shtoi se vaksinat mund të kenë ndikim në variante të reja.
“Duke pasur parasysh që kjo sëmundje ka rënduar sistemin shëndetësor dhe ka marrë mijëra jetëra , e rëndësishme është që të gjithë qytetarët të vaksinohen kundër Covid-19. Të gjithë qytetarët duhet ta kenë parasysh se vaksinimi duhet të vazhdojë deri në personin e fundit. Ne si qytetarë të Kosovës e marrim vaksinën për gripin sezonal për çdo vit. Andaj nuk duhet të hezitojmë dhe çdo vaksinë e cila aplikohet mund të japë efekte anësore. Prandaj vaksinat ekzistojnë në Kosovë dhe apeloj te qytetarët të vaksinohen”.
“Qëllimi kryesor është për ta mbrojtur vetveten dhe të tjerët. Janë personat relevant të cilët janë përgjegjës për këtë problematikë. Por shumica e institucioneve shëndetësore dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria kanë bërë të mundurën në sigurimin e vaksinave. Në të kundërtën siç po planifikojnë për valën e katërt dhe nëse i kemi qytetarët e vaksinuar edhe sëmundja kalohet më lehtë. Edhe në variante të reja vaksinat mund të kenë ndikim në çrrënjosjen e këtij virusi”, tha Lenjani.
E drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Jakup Ismaili, tha se e vetmja mënyrë për ta zvogëluar dhe penguar përhapjen e pandemisë Covid-19 është vaksinimi.
“E vetmja mënyrë për ta zvogëluar dhe për ta penguar përhapjen e pandemisë Covid-19 është vaksinimi andaj duhet të jepet një mesazh i qartë të gjithë popullatës tonë që vaksinimi nuk shkakton asnjë problem, asnjë komplikim dhe asnjë efekt negativ. Ju sugjeroj të gjithëve që të vaksinohen”, shtoi Ismaili.
Megjithatë, drejtuesi i Shoqatës për mbrojtjen e të drejtave të pacientëve, Besim Kodra, theksoi se duhet të ketë fushata më të gjera vetëdijesuese, në mënyrë që qytetarët të shohin se vaksinimi është e vetmja formë për të dalë nga kjo gjendje.
“Në bazë të dhënave ka një rritje të fluksit të pacientëve ndonëse jo shumë të madh. Për shkak të ndryshimit të temperaturave kanë ndikim edhe në shëndet. Unë mendoj se duhet të ketë fushata më të gjera vetëdijësuese. Është hapur edhe programi për pacientë ose qytetar që janë mbi moshën 18 vjeçare. Në mënyrë që pacient me pa se vaksinimi është e vetmja formë qysh ne duhet të dalim nga kjo gjendje. Institucionet duhet të gjejnë forma të komunikimit me qytetar. Është e vetmja formë vaksinimi masiv që të dalim nga kjo gjendje”, tha Kodra.