Vazhdojnë kërkimet për të dyshuarin për vrasjen në tentativë në Fushë Kosovë, Policia ia bastis shtëpinë

Vazhdojnë kërkimet për të dyshuarin për vrasjen në tentativë në Fushë Kosovë, Policia ia bastis shtëpinë

I dyshuari për vrasjen e rëndë në tentativë ndaj dy grave, M.A., 44-vjeçare dhe nënës së saj, F.G., 64-vjeçare, Sabit Islami, është shpallur në kërkim policor pas arratisjes së tij nga vendi i ngjarjes në Fushë Kosovë.

Sinjali mëson se në kuadër të veprimeve hetimore, Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë Themelore kanë kryer bastisje në shtëpinë e Islamit në fshatin Nakaradë, mirëpo i njëjti nuk është hasur aty.

Me qëllim që t’i privojë nga jeta, Islami dyshohet se ka shtënë tri herë me armë në drejtim të 64-vjeçares, e cila sipas mjekut kujdestar në Emergjencën e QKUK-së, ka pësuar lëndime serioze, por që është jashtë rrezikut për jetë.

Burimet brenda Emergjencës kanë bërë me dije se 44-vjeçarja ka marrë plagë në të dy duart, ndërsa 63-vjeçarja është dërguar atje në gjendje të rëndë për shkak të plagëve që kishte marrë në bark dhe këmbë.

Pas intervenimit të stafit mjekësor, gjendja e viktimës M.A., është stabilizuar dhe është jashtë rrezikut për jetë, ndërsa për shkak të gjendjes më serioze, 64-vjeçarja i është nënshtruar një intervenimi kirurgjik.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore të cilët kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit. Po ashtu ata kanë marrë të gjitha veprimet hetimore që sa më shpejt të lokalizohet vendndodhja e të dyshuarit dhe të bëhet arrestimi i tij.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vrasje e rëndë në tentativë’ dhe Islami do të hetohet edhe për ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.

Related Articles