Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë vazhduar seancën, në të cilën po debatohet për përmbajtjen e Propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Seanca u ndërpre gjatë ditës me kërkesë të kryeministrit Albin Kurti që për tri orë u përplas me deputetë opozitare për planin evropian, për të cilin u pajtua të hënën në Bruksel.
Në orën 16:00 kryeministri u largua nga seanca ashtu siç i paralajmëroi deputetët, porse ua dha një propozim që të ktheheshin në orën 22:00 në seancë. Me disa vështirësi u vendos që deputetët ta vazhdojnë debatin në atë kohë.
Kurti nisi të raportonte pas mocionit të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Gjatë ditës, opozita e akuzoi kryeministrin se ka pranuar një marrëveshje të dëmshme për Kosovën.
Por, kryeministri Kurti tha se në këtë proces nuk do t’i bëjë gabimet e qeverive të kaluara. E, e kaluara politike e disa deputetëve solli debatin më të nxehtë në këtë seancë.
Propozimi evropian është thënë se synon që t’i çojë palët drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në propozimin evropian nuk përmendet decidivisht njohja e ndërsjellë. Megjithatë, në nenin dy të propozimit thuhet se palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. Propozimi përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.
BE-ja ka thënë se palët kanë shprehur gatishmërinë që ta zbatojnë planin. Kjo do të bëhet përmes diplomacisë fluturuese, përkatësisht përmes udhëtimeve që pritet të realizojë në Prishtinë dhe Beograd i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.