Ka vdekur ish-ambasadorja amerikane në Kosovë, Tina Kaidanow.
Lajmi është bërë i ditur nga miqtë e saj në rrjete sociale.
Ndër ta është edhe ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Skender Hsyeni.
“Me Tinën kisha bashkëpunim dhe raporte të ngushta zyrtare. Përtej kësaj ishim edhe miq të mirë. Kontributi dhe angazhimi sistematik i Ambasadores Tina Kaidanow në përgatitjen e Kosovës për shpalljen e pavarësisë ishte dhe mbetet i pazëvendësueshëm. Tina ishte një diplomate dhe grua e fortë e cila Kosovën dhe popullin e saj e donte me gjithë qenien e saj. Lamtumirë Tina. Zoti të bekoftë dhe të pastë shpirti dritë! Prehu në paqe”, shkroi Hsyeni.
Tina Kaidanow, ditën që u shpall pavarësia e Kosovës, më 17 shkurt 2008, u bë ambasadorja e parë e Amerikës në republikën e re.
Deri në këtë datë, ajo ishte shefe e misionit të ShBA-së në Prishtinë, pozitë kjo nga e cila bëri çmos që ta çojë vendin e administruar nga OKB-ja drejt shtetësisë së plotë.
Kjo diplomate njihej për qëndrime të forta politike, ndërkohë Lëvizja Vetëvendosje e paraqiste si “mbretëreshë”, së cilës i përkulen udhëheqësit e republikës.