Është ndarë nga jeta Selvete Canolli, nëna e dëshmorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Basri Canolli – Shpendi.
Për vdekjen e saj ka shkruar edhe ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili përmes një postimi në Facebook e ka kujtuar Selvete Canollin si një grua fisnike dhe atdhetare.
Haradinaj theksoi se ajo, së bashku me bashkëshortin e saj, bacën Halil, i kishte rritur fëmijët me dashuri për atdheun dhe kombin, duke i dhënë Kosovës edhe një djalë dëshmor.
“E ndjera ishte një grua fisnike shqiptare. Ajo bashkë me bashkëshortin, bacën Halil, fëmijët e saj i brumosi me dashuri për atdheun dhe kombin, duke i dhënë Kosovës djalin dëshmor. Shtëpia e familjes atdhetare Canolli nga Mareci ishte shndërruar në çerdhe të shumë luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare nga Gollaku, Karadaku e nga të gjitha anët, ku të gjithë anëtarët e familjes ishin të rreshtuar në luftën për liri”, ka shkruar Haradinaj, duke i shprehur ngushëllime familjes Canolli.
