“Veç je femër se ta kisha kallxu vendin”, Musliu: Isha e kërcënuar nga shoferi i ministrit Krasniqi

“Veç je femër se ta kisha kallxu vendin”, Musliu: Isha e kërcënuar nga shoferi i ministrit Krasniqi

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, duke folur për dhunën në seancën e sotme të Kuvendit, tha se deputetët e opozitës provokohen vazhdimisht, edhe nga shoferët e truprojat e ministrave.

Ajo ka treguar një përvojë personale të saj, ku thotë se ishte kërcënuar në hyrje të Kuvendit nga shoferi i një prej veturave zyrtare, për të cilin më vonë e kishte kuptuar nga Kryeparlamentari Glauk Konjufca, se kishte qenë shoferi i Ministrit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqit.

Musliu ka thënë se ai i ishte drejtuar duke i thënë se “veç je femër, se ta kisha kallxu vendin”.

“Ne provokohemi nga shoferat e ministrave, nga bodyguardat e ministrave., Mua personalisht më ka ndodhë, duke hy në sallën plenare. Ju e dini se na kanë akuzu se po i lajmë makinat dhez e lluksin anej knej dhe e kam incizu një nga makinat dhe thash edhe ju po i leni makinat dhez dhe ka dalë shoferi i qasaj makine që unë as se kam ditë se kush është me atë makinë e as kush ëhstë ai shofer edhe dul e tha “veç je femër, se ta kisha kallxu vendin”, Edhe ju kam ndalë, thash hajde kur të duash, me më frikësu nuk mundesh”, ka thënë Musliu në Pressing të T7.

Më pas thotë se kishte kërkuar sqarim nga Kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe se kishte provuar që të kontaktojë me Krasniqin, por s’i ishte përgjigjur në telefon.

“E kam marrë atë letër dhe ia kam dërguar Glauk Konjufcës si kryetar, me numra të tabelës ia kom dhanë, thash kërkoj nga ti si kryetar me kërku sqarim se kush është ky person që më kërcënon mua në hyrje të Kuvendit.  Zotëria në fjalë ka qenë shoferi i Elbert Krasniqit, Ministrit të Pushtetit Lokal. Më ka thirr vetë Glauk Konjufca dhe më ka thanë që këto tabela janë të shoferit, dmth të Ministrit Elbert Krasniqi. Kam provu ta telefonoj Elbertin, dhe nuk mu ka paraqit në telefon. Prej atë ditë, Elberti s’ka ardh më në seancë”, ka shtuar Musliu.

Related Articles