Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish kryetari i Podujevës, Agim Veliu, në profilin e tij në Facebook ka njoftuar dega e LDK-së në Podujevë se së bashku me kryesin e kësaj partie në qendër kanë thirrur një Kuvend të jashtëzakonshëm të degës së Podujevës, shkruan Gazeta ‘Enigma’.
Veliu përmes këtij postimi ka njoftuar se nuk do të jetë prezent në këtë kuvend, ku sipas tij do të tentohet të kontrabandohet një kryetar i ri, që nuk është as pjesë e strukturave të degës sonë, ka shkruar ai.
“Ata që vitin e kaluar i dhanë goditjen e parë degës së LDK-së në Podujevë, duke e zhveshur nga kompetenca kryetarin dhe kryesinë e degës, po vazhdojnë misionin e tyre të shkatërrimit të degës”.
Sipas Veliut “të njëjtit, në krye me kryetarin e partisë Lumir Abdixhiku, sërish duke shkelur mbi statutin e LDK-së, qenkan mobilizuar gjatë natës dhe në mënyrë klandestine paskan thirrur një Kuvend të jashtëzakonshëm të degës në Podujevë”.
“Duke qenë se kuvendi i sotëm është kundërstatutar dhe i paligjshëm, të dashur veprimtarë dhe anëtarë të LDK-së, ju njoftoj se nuk do të marr pjesë në një farsë të tillë, ku do të tentohet të kontrabandohet një kryetar i ri, që nuk është as pjesë e strukturave të degës sonë”, është shprehur Veliu.
Tutje ai ka shkruar se “kjo që po bën Abdixhiku, me misionarët anti LDK të mbledhur rreth vetes, nuk është asgjë tjetër veçse një proces i shkatërrimit të degës në Podujevë, bastionit të fundit të LDK-së”. /Gazeta Enigma/