Deputeti i LDK-së, Agim Veliu, nuk e sheh vetën fajtor për humbjen e LDK-së në Podujevë. Sipas tij, nga kjo humbje shihet se ai ka qenë faktor.
“Unë nuk jam fajtor, por po shihet që jam faktor. Agim Veliu është themelues i degës, 5 herë i zgjedhur kryetar, 3 herë ministër, 3 herë deputet, nënkryetar i LDK-së anëtar i këshillit të përgjithshëm. Kryesia e LDK-së, pas një kontributi 31 vjeçar me i dhanë një certifikatë të tillë të pamoralshme për kontribut, kjo është nënçmim për LDK-në dhe për çdo anëtar atje që e ka votu LDK-në”, shtoi ai.
Veliu thotë se për një kontribut 30-vjeçar, ai ka marrë një certifikatë nga dikush që me vite të tëra ka shkruar kolumne kundër LDK-së, duke aluduar në liderin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Ai ka përmendur edhe plagosjen që i ka ndodhur siç thotë ai për aktivitetet politike në LDK.
“Edhe është një mesazh i keq për ato gjenerata të reja që LDK-ja i fton të bëhen pjesë e LDK-së. Ata mund ta marrin shembull që një kontribuues 30 vjeçar, themeluesi, një njeri që ka hangër edhe rreh para lufte nga Policia Serbe, ka hangër edhe plumba menjëherë pas lufte për aktivitet politik për LDK-në, pra t’i jepet një certifikatë e tillë nga kush, nga njerëzit që nuk e kanë pas asnjë kontribut dhe me vite të tëra kanë bërë kolume kundër LDK-së”, tha Veliu në RTV Dukagjin, përcjellë Gazeta “Enigma“.