Të gjitha komunat e Kosovës e kanë përmbyllur procesin zgjedhorë por Dragashi ende nuk është bërë me kryetar të ri.
Të enjten, Gjykata Supreme e Kosovës ka marrë vendim që të përsëritet procesi i votimit nga jashtë për komunën e Dragashit.
Kryetari aktual dhe kandidati i PDK-së, Shaban Shabani ka komentuar vendimin e Supremes, ku tha se kjo mund t’i penalizoj, por që e pranojnë vendimin e Supremes.
“Përderisa jemi në këtë situatë që vendos diaspora për ne edhe është e pranueshme pavarësisht që mund të penalizohemi, por mbi të gjitha ajo është e jona”, ka thënë Shabani.
Shabani është shprehur për Front Online se si PDK do të riorganizohen për të fituar në Dragash.
“Do të riorganizohemi për ta rikonfirmuar edhe njëherë fitoren edhe përmes votave me postë”, ka thënë ai.
Ai tutje është shprehur se si parti kanë arritur që të e ndalin manipulimin e votës së diasporës nga ana e kundërkandidatit, Bexhet Xheladinit të LDK-së.
“Ne në këtë rast ndihemi mirë që është saktësuar se ka pasur orkestrime dhe manipulim të votës, përderisa ne kemi arritur që këtë çështje ta ndalojmë”, ka thënë ai.
Me rezultatin aktual pa përfshirjen e votave me postë, Shaban Shabani i PDK-së ka 50.21% të votave.
Kurse kundërkandidati Bexhet Xheladini nga LDK-ja, ka 49.79% të votave.
KQZ-ja ka njoftuar se gjatë ditës do të mblidhet të vendos për organizimin e votimit me postë në komunën e Dragashit.
Në 14 vitet e fundit komuna e Dragashit është udhëhequr nga Partia Demokratike e Kosovës.
/Gazeta Enigma/