Reshjet e vazhdueshme të shiut kanë shkaktuar vërshime në disa pjesë të vendit. Në mesin e komunave është edhe ajo e Drenasit, raporton Gazeta Enigma.
Në një njoftim në faqen zyrtare të kësaj komune në Facebook, bëhet e ditur se në disa zona ka vërshime, sidomos në rrugën regjionale Drenas – Skenderaj.
“Reshjet e vazhdueshme të shiut gjatë orëve të vona të së dielës dhe të hënës, kanë shkaktuar ngritje të nivelit të ujit në disa zona, sidomos në rrugën regjionale Drenas-Skenderaj, përkatësisht të rreth rrotullimi në fshatin Polluzhë, por edhe në disa pjesë të tjera”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Nga kjo komunë kanë bërët të ditur se ekipet emergjente janë në teren që nga mëngjesi dhe po monitorojnë situatën, duke intervenuar ne ato zona ku niveli i ujit është më i madh.
Është bërë e ditur se nuk ka vërshime në shtëpi banimi, vetëm në disa segmente rrugore, siç është rasti të rreth rrotullimi në fshatin Polluzhë si dhe mbyllje të kanalizimeve.
Me këtë rast, Komuna e Drenasit ka kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës që të intervenojnë në rrugën regjionale Drenas-Skenderaj, pasi që është në kompetencë të nivelit qendror. Ndërsa fton qytetarët që të kenë kujdes të shtuar dhe t’i shmangen vendeve ku uji ka vështirësuar qarkullimin.