Vesel Demaku ka lindur dhe është rritur në Austri, por kur erdhi momenti për të zgjedhur se cilën kombëtare do ta përfaqësonte, mesfushori mori një vendim që për të shkonte shumë përtej futbollit.
Ai zgjodhi Kosovën.
Në një intervistë për mediumin austriak “Der Standard”, Demaku ka rrëfyer me detaje emocionuese arsyet që qëndrojnë pas kësaj zgjedhjeje, duke treguar se lidhja e tij me Kosovën lidhet ngushtë me historinë e familjes dhe veçanërisht me gjyshin e tij, Veselin, emrin e të cilit e mban.
Gjyshi i tij kishte humbur jetën si ushtar gjatë Luftës së Kosovës.
Pikërisht për këtë, mundësia që 25 vjet më vonë Demaku të vishte fanellën e Kosovës kishte një domethënie të jashtëzakonshme.
“Ai vdiq si ushtar në Luftën e Kosovës dhe mua më dhanë emrin e tij. Për njerëzit atje dhe për mua, është padyshim një gjë e madhe të jem në gjendje të luaj për ekipin kombëtar 25 vjet më vonë”, ka deklaruar Demaku.
Mesfushori i Kosovës ka theksuar se vendimi për të zgjedhur “Dardanët” nuk ishte thjesht një zgjedhje sportive.
“Është shumë më tepër sesa thjesht sport. Mendoj se pasi të kesh qenë atje dhe të kesh njohur njerëzit, është shumë më tepër se kaq. Jam bërë edhe më i vetëdijshëm për këtë që kur luajta ndeshjet e mia të para ndërkombëtare”, ka thënë ai.
Demaku nuk e fsheh dashurinë dhe mirënjohjen për Austrinë, vendin ku është rritur dhe ku familja e tij gjeti strehim.
“E dua Austrinë, i dua njerëzit, e dua kulturën. Jam jashtëzakonisht mirënjohës që familja ime arriti të gjejë strehim këtu dhe besoj se e gjithë familja ime është një shembull i suksesshëm i integrimit”, është shprehur ai.
Por, me kalimin e viteve, ndërsa kuptoi më shumë për historinë e Kosovës dhe u angazhua më shumë me historinë dhe politikën, vendimi për të përfaqësuar Kosovën u bë edhe më i qartë.
“Kur u rrita, kur i kupton gjërat më mirë dhe angazhohesh më shumë me politikën dhe historinë, atëherë thashë se doja ta bëja me bindje 100%”, ka rrëfyer Demaku.
Zgjedhja e tij nuk kaloi pa reagime në Austri. Mesfushori pranon se kishte pritur reagime negative, por thotë se ishte lënduar nga mënyra se si ishte portretizuar.
“Po, shumë. Por isha i përgatitur për këtë. Më dhemb vërtet, sepse e dua Austrinë, i dua njerëzit, e dua kulturën”, ka thënë ai.
Megjithatë, emocionet më të mëdha për Demakun kanë ardhur në momentin kur ka veshur fanellën e Kosovës dhe ka dëgjuar himnin përpara ndeshjeve.
“Herën e parë, je jashtëzakonisht krenar. Kur sheh sa krenar mund të bësh familjen tënde me profesionin tënd, është jashtëzakonisht përmbushëse. Ishte gjithashtu një histori e madhe për babanë tim, babai i të cilit vdiq në luftë”, ka rrëfyer ai.
Tashmë, ëndrra e Demakut është e njëjtë me atë të shumë gjeneratave të futbollistëve kosovarë: ta dërgojë Kosovën në një Kampionat Evropian ose Kupë Bote.
“Kualifikimi për një Kupë Bote ose Kampionat Evropian për Kosovën do të ishte i pabesueshëm. Kemi kaq të rinj, duam t’u tregojmë atyre: Po, është e mundur, mund të jesh shqiptar nga Kosova dhe të arrish diçka në jetë”, ka përfunduar Demaku.
Një zgjedhje mes dy fanellave, por për Vesel Demakun, një histori që lidhet me shumë më tepër se futbolli.
Me emrin e gjyshit të tij në shpinë të historisë familjare, ai sot e mban fanellën e Kosovës.
