Vetingu, brenda 5 viteve synohet të bëhet verifikimi i dijes, integritetit etik dhe i pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve

Vetingu, brenda 5 viteve synohet të bëhet verifikimi i dijes, integritetit etik dhe i pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve

Komisioni i Venecias i ka dhënë dritën jeshile Qeverisë së Kosovës për Veting dhe krijimin e Byrosë së Kosovës për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Kështu gjyqtarët dhe prokurorët pritet t’i nënshtrohen procesit të Vetting-ut, shkruan Gazeta Enigma.

Më 18 qershor, lajmin se tashmë është hapur rruga për Vettingun dhe krijimin e Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë, e dha kryeministri, Albin Kurti, i cili ishte i pranishëm në konferencë për media së bashku me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

“Komisioni i Venecias na bind se reformat e propozuara janë adekuate dhe në pajtim me politikat e shteteve demokratike. Për byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, Komisioni i Venecias jo vetëm që na ka treguar afinitet të plotë, por ka kërkuar edhe zgjerim të kompetencave të mekanizmit për verifikimin e pasurisë”, theksoi Kurti.

Përmes tij, brenda pesë viteve synohet të bëhet verifikimi i dijes së tyre, i integritetit etik dhe i pasurisë.

Koncept Dokumenti për Zhvillimin e Procesit të Veting-ut në Sistemin e Drejtësisë

Këtë dokument e posedon edhe Gazeta Enigma, e ku shkruhet se Vettingut do t’i nënshtrohen edhe një kategori e zyrtarëve në pozita të larta drejtuese brenda sistemit.

“Nga momenti i funksionalizimit të dy mekanizmave (sekretarisë dhe paneleve) do të fillojë faza hulumtuese krahas fazës së parë të Vettingut për të gjithë anëtarët e KGjK/KPK-së. Në të njëjtën kohë, kjo fazë përfshinë edhe të paktën pesë anëtarë të Gjykatës Supreme dhe Kryeprokurorin e Shtetit. Të gjithë këta do iu nënshtrohen Vettingut nga mekanizmat respektiv për gjyqtarë apo prokurorë”, thuhet në dokument.

Ndërkaq sipas këtij dokumenti pas përfundimit të Vettingut për subjektet në kuadër të fazës së parë, mekanizmi përkatës do të paraqesë në KGJK dhe KPK rezultatet e Vettingut për nga një apo dy kandidat përnjëherë.

“Sapo të arrihet Vettingu i anëtarëve të këshillave dhe Panelit të Gjykatës Supreme që shqyrton ankesat për shkarkim, do të mund të kalohet në fazën e dytë të Vettingut. Në fazën e dytë fillimisht do t’i nënshtrohet Vettingut Gjykata Supreme në tërësi dhe do të pritet zëvendësimi i gjyqtarëve që potencialisht do të shkarkoheshin. Paralelisht, do t’i nënshtrohen Vettingut edhe prokurorët në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit”.

Pas kësaj, subjekt i Vettingut do të jenë gjyqtarët e Gjykatës së Apelit, dhe prokurorët e Prokurorisë së Apelit, prokurorët e Prokurorisë Speciale.

“Ndërkaq propozimet potenciale për shkarkim do të mund të paraqiten përnjëherë në numra deri në 3 gjyqtarë/prokurorë, për të mos bllokuar në tërësi punën në këto institucione. Kjo fazë do të përfshijë edhe kryetarët e gjykatave dhe kryeprokurorët”.

Gjithnjë sipas dokumentit, në fazën e tretë do të vazhdohet me Vettingun e gjyqtarëve mbikëqyrës të degëve të gjykatave themelore, pastaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të gjykatave dhe prokurorive themelore.

“Mekanizmi përkatës i rekomandon KGJK-së, përkatësisht KPK-së të propozojë shkarkimin e gjyqtarit, përkatësisht prokurorit që rezulton me integritet të munguar apo të meta të tjera të mëdha. Këshilli përkatës do të ketë kohë 15 ditë për të analizuar raportin e Mekanizmit dhe për të marrë vendim lidhur me propozimin për shkarkim.

Vetingu sipas ndryshimeve kushtetuese

Ndërkaq opsioni i katërt i zhvillimit të procesit të Vettingut dhe vlerësimit të vazhdueshëm të performancës, integritetit dhe pasurisë do të realizohet përmes ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore.

Ky opsion ofron fleksibilitet në dizajnimin e procesit të Vettingut, përmes ndryshimit të dispozitave relevante kushtetuese,  të cilat për momentin kufizojnë modalitetet lidhur me këtë proces. Pra, për realizmin e Vettingut sipas këtij opsioni duhet  amendamentuar Kushtetuta.

Subjekte të Vettingut edhe me këtë opsion do jenë gjyqtarët, prokurorët, si dhe zyrtarët që mbajnë pozita të larta drejtuese brenda sistemit të drejtësisë, përfshirë: Administratorët e gjykatave dhe prokurorive, Drejtorët e Sekretariateve të KGJK/KPK si dhe Drejtori i Njësisë për Inspektim Gjyqësor në KGJK.

Sanksionet

Parashihen dy lloje të masave për subjektet e Vettingut të cilët marrin vlerësim negativ.

Propozimi për shkarkim dhe propozimi për masa të tjera.

“Shkarkimi i gjyqtarit apo prokurorit duhet të vijë vetëm si rezultat i shkeljeve më serioze të detyrës dhe kur evidentohen mangësi vetëm në performancë, e që konsiderohen të tejkalueshme, mund të shqiptohet edhe trajnimi i detyrueshëm për gjyqtarë dhe prokurorët”.

Avokati Jashari: Do të ketë vështirësi për realizmin e Veting-ut

Avokati Arbër Jashari, në një prononcim për Enigmën është shprehur se Veting-un e sheh si të domosdoshëm, por që do të ketë vështirësi në realizimin e këtij procesi.

“Veting-un e shoh si të domosdoshëm dhe shumë të nevojshëm, mirëpo konsideroj se realizimi i tij nuk do të jetë farë i lehtë”, theksoi Jashari.

Sipas tij, do të kërkohet që të bëhen ndryshime kushtetuese, e kjo është vështirë e realizueshme.

“Për çka kërkohen votat e dy të tretave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Prandaj pashmangshëm duhet të arrihet një konsensus nacional , apo një dakordim në mes forcave kryesore pulitke në Kuvend”.

Por, që sipas tij, për arsyeje tjetër mund te jetë edhe krijimi i trupave të Vettingut.

“Është pak vështirë të ndërtohen trupa Vettingu,  profesionale dhe të besueshëm, që do të ishin të pranueshëm për të gjithë akteret. Mbase prania e faktorit ndërkombëtar (nga shtetet aleate të Republikës së Kosovës), me një rol të theksuar, jo vetëm monitorues, deri diku do të ishte garanci  për një proces të rregullt”.

Jashari, shton se në këtë rast mund të përballemi edhe me rreziqe siç është parë në Shqipëri.

“Siç është parë edhe në Shqipëri, ka rrezik që të dëmtohet zhvillimi i mirëfilltë i jetës institucionale, rrjedhimisht,  institucione të caktuara( KGJK, KPK, gjykata dhe prokurori), të mbesin pa bartës të funksioneve, çka do të shkaktonte dëme të parikuperueshme për qytetarët, pasi procedurat gjyqësore do të stërzgjateshin edhe me tepër”.

Buxheti

Sa i përket buxhetit për këtë proces, ai do financohet nga Buxheti i Shtetit, në të cilin pasqyrohen si institucionet të veçanta.

Institucionet e rivlerësimit zbatojnë në mënyrë të pavarur buxhetin e tyre, të miratuar nga Kuvendi dhe kanë të drejtë të përdorin të ardhurat dytësore, të përfituara nga projektet ndërkombëtare, donacionet dhe botimet e tyre.

Ndryshe, një lloj, i Vetting-ut është zhvilluar më parë në Kosovë për gjyqtarët dhe prokurorët.  Kjo ka ndodhur në vitin 2010, ku Komisioni i Pavarur Gjyqësor dhe Prokurorial (KPGJP) si një organ i pavarur i KGJK-së, sipas Kushtetutës, ka pasur mandatin për të vendosur për përshtatshmërinë e të gjithë kandidatëve për emërim të përhershëm si gjyqtarë dhe prokurorë në Kosovë. /Gazeta Enigma/

Related Articles