Barnatoret cak i hajnave në Suharekë. Vetëm gjatë mëngjesit të hershëm të së dielës, tri prej tyre u plaçkitën brenda një ore.
Gani Guraziut iu demolua barnatorja dhe iu vodhën rreth 400 euro nga arka nga një person që ende nuk është identifikuar.
Grabitja që ndodhi pak para orës 6:00 u regjistrua nga kamerat e sigurisë.
“Rreth orës 7:00 jam njoftuar se barnatorja është demoluar, thyer e vjedhur. Kur kemi arritur Policia ishte në vendin e ngjarjes duke vijuar me çështjet hetimore. Rreth 300-400 euro që kanë qenë të gatshme për të filluar punën në mëngjesin e ditës së ardhshme i kanë marrë”, rrëfen Guraziu për RTV Dukagjinin.
Por kjo barnatore nuk ishte e vetmja që u plaçkit atë mëngjes në Suharekë.
Edhe dy tjera u vodhën në më pak se një orë, përcjell Telegrafi.
Mirëpo njëra barnatore shpëtoi më lehtë pasi nuk kishte pasur para në arkë me çka hajnat i la duarthatë.
“Grabitësi është futur me forcë në barnatore dhe është drejtuar në arkë. Për fat të mirë në nuk kemi lënë të holla aty”, deklaroi Vjosa Bytyqi e cila dyshon se barnatoret u grabitën nga i njëjti person.
Ajo thotë se i dyshuari ka lënë edhe dëshmi gjaku gjatë tentimit për t’u futur në objekt me forcë.
“Si duket është personi i njëjtë që ka sulmuar tri barnatoret dhe i njëjti ka lënë gjurmë gjaku, që besoj se janë të nevojshme për policinë”.
Nga Policia e Kosovë në Prizren thonë se ende nuk është arrestuar i dyshuari
Nga Oda e Farmacistëve të Kosovës rastin e kanë konsideruar të sinkronizuar./Gazeta Enigma/