Një mësimdhënës në Viti dyshohet se ka rrahur brutalisht një nxënëse të shkollës fillore “Dëshmorët e Vitisë”.
Në këto pamje shihet se mësimdhënësi ia gjuan çanten dhe rrah nxënësen, e cila më pas tenton të dalë nga klasa, por i njëjtë nuk e lejon, duke vazhduar të bërtas.
Që nga mbrëmë ka tentuar të marrë një përgjigje zyrtare nga Policia, shkolla dhe drejtoria e Arsimit në Viti, por të njëjtit kanë pohuar se nuk kanë informacione për këtë ngjarje dhe se nuk ka ndonjë rast të hapur.
Megjithatë në bazë të informacioneve që posedon, ka krahasuar fotografinë që ka siguruar për mësimdhënësin që dyshohet se ka rrahur nxënësin me pamjet e dërguara nga sinjalizuesi, ku del të jetë se është i njëjti person dhe se incizimi është realizuar gjatë kësaj jave.
Drejtori i shkollës, Qemajl Hyseni, ka thënë se nuk ka informacione për një ngjarje të tillë, derisa drejtori i Arsimit në këtë komunë, Basri Aliu tha se profesori, emrin e të cilit ia ka përmendur Sinjali, është ende mësimdhënës.
“Nuk jam i njoftuar për rastin. Ai është ende arsimtar, e konsideroj atë si arsimtar goxha të mirë, ai edhe pak del në pension. Deri tash nuk ka ankesa as prej familjes së nxënëses. Të hënën do ta shohim rastin se çka ka ndodhur dhe do të merren veprimet që duhen”, tha Aliu.
Ndërkohë Sinjali videon të cilën e ka siguruar e ka dërguar edhe në adresë të Policisë së Kosovës, por të njëjti kanë thënë se ende nuk ka ndonjë rast të hapur.
“Së pari duhet me identifiku kush është arsimtari, kur ka ndodhë, konsultohet prokurori pastaj vendoset çka tutje. Nëse inicohet rast ndaj arsimtarit, ju njoftojmë”, kanë thënë nga Policia e rajonit të Gjilanit.
Gazeta Enigma do të ju mbajë të informuar për detajet e reja të këtij rasti./Gazeta Enigma/