Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i dha të mërkurën një përshëndetje të ngrohtë lamtumirëse Kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel. Ai e falënderoi “Zonjën e Hekurt” që e mbajti Evropën të bashkuar gjatë kohës së krizave.
Duke e mirëpritur zonjën Merkel në rajonin e njohur për prodhimin e verës, Burgundy, e jo në darkë formale shtetërore në pallatin presidencial në Paris, ku politikania gjermane është takuar me katër presidentë francezë, Macroni e falënderoi Merkelin për durimin e saj me të dhe për mësimet që ia ka dhënë, shkruan France24, transmeton Gazeta Express.
“Që nga koha kur ju jeni bërë kancelare, Franca ka mësuar që t’ju njohë dhe t’ju dojë”, i tha Macroni Merkelit përderisa ia dhuroi shpërblimin më të lartë, Legjionin e Nderit.
Në internet janë publikuar pamje nga takimi, ku dy udhëheqësit shihen shumë të afërt me njëri-tjetrin, duke u përqafuar e duke i mbajtur duart së bashku.
pic.twitter.com/Us57ivvk7U— Emmanuel Macron (@EmmanuelMacron) November 3, 2021
Macroni tha se Merkeli fillimisht ka punuar me ish-presidentin francez, Jacques Chirac, pastaj me ish-presidentin tjetër, Nicolas Sarkozy, për t’i bërë ballë krizës financiare dhe për ta mbajtur të bashkuar eurozonën, ndërsa me ish-presidentin Francois Hollande ka punuar për t’u ballafaquar me terrorizmin e me krizën e emigrantëve, ndërsa me vetë atë (me Macronin) ka bashkëpunuar për ta luftuar pandeminë e koronavirusit.
Zonja Merkel, tashmë 67-vjeçare, e ka udhëhequr Gjermaninë për rreth 16 vjet. Ajo do të largohet nga pushteti, kur të formohet koalicioni i ri qeveritar pas zgjedhjeve të 26 shtatorit, në të cilat ajo nuk kërkoi mandat të ri.