Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje. Kështu ka ndodhur edhe së fundmi në shtëpinë e familjes Krasniqi në Malishevë, ku dikush ka vjedhur një shumë të majme parash.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se pronari e ka denoncuar rastin në Polici, ku ka raportuar se nga shtëpia e tij janë vjedhur rreth hiç më pak se 25 mijë euro para të gatshme.
Sipas deklaratës së tij, të dhënë para hetuesve policorë me rastin e raportimit të rastit, viktima ka ngritur dyshime ndaj një familjes së tij, të cilën e ka akuzuar për vjedhjen e të hollave.
Rasti u zbulua pasi pronari kishte kërkuar paratë, por nuk i gjeti në vendin ku i kishte lënë.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe në identifikimin e personave të dyshuar.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.