Posedimi i armëve të zjarrit është shndërruar në një dukuri negative, pasi që përpos që është e kundërligjshme, po cenohet edhe siguria e qytetarëve. Policia vazhdimisht gjatë kontrolleve has në persona që posedojnë armë.
Policia në koordinim me Prokurorinë, ka kryer dje bastisje në një shtëpi në fshatin Goshicë të Vitisë.
Burimet e Gazetës Sinjali njoftojnë se gjatë kontrollit, është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri dhe disa fishekë.
Lidhur me rastin është arrestuar një 70-vjeçar, i cili është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të prokurorit, ndaj të dyshuarit kanë nisur hetimet për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.
Ndryshe, “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet”.