Javën e ardhshme pritet të mbërrijë kontingjenti i parë me dozat e vaksinave të cilat janë blerë nga Qeveria e Kosovës.
Ndonëse numri i vaksinave nuk bëhet i ditur për arsye të kontratës mes shtetit dhe kompanisë Pfizer, ato do të mundësojnë që plani i vaksinimit masiv të vazhdojë.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitita deklaroi se i gjithë ky plan po shkon mirë, ndërsa mohon se ka vaksinime të personave jashtë kategorive të përcaktuara.
Përveç vaksinave anti-COVID, Vitia thotë se shumë shpejtë do të mbërrijnë edhe insulinat të cilat aktualisht janë në mungesë në QKMF-të e vendit.
Duke u ndalur të vaksinimi masiv, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, deklaroi se synim i tyre mbetet që brenda një muaji të realizohen deri në 500 mijë vaksinime.
Sipas tij, falë organizimit të mirë, është dëshmuar se ka deri në 8 mijë vaksinime në ditë pa asnjë problem, si për profesionistët shëndetësorë ashtu edhe për qytetarët.
“Në ditët e para nga 15 qershori kur ka filluar të zbatohet ky plan e kemi parë që pa asnjë problem, pa asnjë stres, as për punëtorët shëndetësorë dhe as grumbullim për qytetarët, kemi arritur që nga 2500 deri 3000 vaksinime që janë bërë më herët, kemi arritur numrin prej 8000 qytetarëve të vaksinuar brenda dite dhe natyrisht javën e ardhshme pritet kontingjenti i pari i vaksinave Pfizer nga kontrata që e kemi nënshkruar që të vijnë në Kosovë dhe i gjithë plani do realizohet në bazë të numrit të vaksinave që do i kemi në stok”, tha ai.
Plani i vaksinimit në Kosovë tashmë ndodhet në fazën e dytë, e që nënkupton që të drejtë të vaksinimit kanë personat mbi moshën 65-vjeçare, ata me sëmundje kronike, dhe pjesëtarët e FSK-së dhe Policisë së Kosovës.