Vjedhje e rëndë në ish-pishinën Hawaii në Gjilan, dëmi kap vlerën rreth 55 mijë euro

Vjedhje e rëndë në ish-pishinën Hawaii në Gjilan, dëmi kap vlerën rreth 55 mijë euro

Një rast i vjedhjes së rëndë është raportuar në Gjilan, ku persona ende të panjohur dyshohet se kanë hyrë në objektin e ish-pishinës “Hawaii” dhe kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Sipas burimeve të Sinjalit, rasti është raportuar më 23 qershor, rreth orës 15:35, në rrugën “Hamdi Kurteshi”.

Ankuesi R.O. ka deklaruar se vjedhja dyshohet se ka ndodhur në periudhën 16-23 qershor.

Burimet bëjnë të ditur se në objekt janë dëmtuar dyert e lokalit dhe frigoriferi i restorantit, ndërsa janë vjedhur gypa bakri nga ftohësit e frigoriferëve.

Sipas deklarimit të ankuesit, vetëm për këtë pjesë dëmi vlerësohet rreth 15 mijë euro.

Po ashtu, janë dëmtuar edhe tetë filtra të pishinës, vlera e të cilëve dyshohet të jetë rreth 40 mijë euro.

Në total, dëmi material vlerësohet rreth 55 mijë euro.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, Krim-teknika dhe hetuesit, të cilët kanë kryer ekzaminimet e nevojshme.

Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, ndërsa rasti është cilësuar si “Vjedhje e rëndë”.

Hetimet për identifikimin e personave të dyshuar janë në vazhdim.

Related Articles