Vjedhje e rëndë në shtëpinë e gjyqtarit në Prishtinë, i dyshuari kapet me shok-bomba e municion në çantë

Vjedhje e rëndë në shtëpinë e gjyqtarit në Prishtinë, i dyshuari kapet me shok-bomba e municion në çantë

Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri në biznese, e jo vetëm. E, hajnat si duket nuk po i kursejnë as zyrtarët e institucioneve publike, përfshirë ata të institucioneve të drejtësisë si gjyqtarë e prokurorë.

Cak i hajnave ishte shtëpia edhe shtëpia e gjyqtarit në Departamentin për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Agim Kuçi.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se mbrëmë Policia ka intervenuar në lagjen Veternik të Prishtinës, ku një person kishte mësyrë shtëpinë e Kuçit për të kryer vjedhje.

Zyrtarët policorë kanë arritur që ta kapin të dyshuarin, i cili është shoqëruar në stacion policor për intervistim nga organet e hetuesisë.

Gjatë kontrollit, tek i dyshuari janë gjetur disa mjete shpërthyese si shok-bomba, fishekë të armës, mjete të mprehta, por edhe dokumente zyrtare të cilat dyshohet se i kishte vjedhur në shtëpinë e gjyqtarit Kuçi.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vjedhje e rëndë’.

Ndryshe, rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

Ështe arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti dyshohet se ka kryer vjedhje në shtëpinë e viktimës mashkull kosovar. Gjatë kontrollit në çantën e të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar disa fishekë, disa shok bomba, dokumente, kartela bankare, monedha, thikë, brisk dhe disa shishe të alkoolit. Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim të Policisë.

Related Articles