Opinionisti Arbër Vllahiu, ka thënë se kryeministri Albin Kurti është ndërruar nga një politikan nacionalist në pragmatik.
Ai, në Rubikon, ka theksuar se Kurti e ka kuptuar që pushteti dhe politika nuk janë të ngurta.
“Ajo çfarë duhet të thuhet është se Albin Kurti, nga një patriot politik, është shndërruar në një pragmatist politik, nuk është ai patrioti i Kuvendit të Kosovës së vitit 2011 me ato flamujt e Shqipërisë dhe me flamuj të vendosur në tavolinat e parlamentit ose edhe në sakot e tyre, simbolika që kanë çuar të them drejt një nacionalizmi të theksuar, tani ai është më pragmatik”.
“Albin Kurti, në fakt, nuk ka luftuar shumë për shtetin, siç po shihet, por ka luftuar për pushtetin. Kjo për arsye se Kurti vjen në pushtet në vitin 2020 dhe bie nga pushteti sepse e dinte se do të kthehej shumë i fuqishëm në pushtet”.
“Nuk e shoh se ka ndryshuar, Albin Kurti është ende ai politikani kokëfortë që i mban qëndrimet e veta, ai e ka parë se pushteti dhe politika nuk janë të ngurta dhe jo pragmatike. Nga një politikan patriot dhe nacionalist, është shndërruar në një politikan pragmatist, ai do të ketë kohë për të treguar se sa është e mundshme të zhvillohet ai pragmatizëm i tij”, ka thënë Vllahiu.