Vllaznia e Shkodrës është fituese e Kupës së Shqipërisë në futboll për edicionin 2021/22.
Skuadra shkodrane triumfoi 2:1 në finale kundër Laçit, por vetëm pas vazhdimeve dy herë nga 15 minuta në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.
90 minutat e rregullta u mbyllën baras 1:1 me dy golat e realizuar në pjesën e parë të takimit.
Guindo zhbllokoi shifrat për Laçin në minutën e 5-të, për ta barazuar në të 19-tën Hoxha.
Po shënohej minuta e pestë e pjesës së parë të vazhdimeve kur Adili përmbysi rezultatin në të mirë të Vllaznisë dhe kësisoj goli doli të ishte vendimtar që Vllaznisë t’i takonte trofeu.
Vllaznia me këtë fitore në finale e ka siguruar edhe plasmanin në garat evropiane.