Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, theksoi se është e nevojshme të punohet për hapat e ardhshëm që të arrihet në një pikë ku shtetet anëtare të Bashkimit Evropian të pranojnë heqjen e masave ndaj Kosovës.
Gjatë një konference për media në Prishtinë me presidenten Vjosa Osmani, von der Leyen shprehu përkushtimin e saj dhe të liderëve kosovarë për të arritur këto objektiva, njofton Gazeta Enigma.
Ajo e vlerësoi hapjen e Merdarit për kalimin e mallrave serbe si një zhvillim pozitiv.
“Është thelbësore të punojmë së bashku. Ne e mirëpritem hapjen e kufirit dhe avancimin në CEFTA. Tani duhet të fokusohemi në hapat e mëtejshëm për të arritur një pikë ku mund të hiqen masat, gjë që do të ndihmojë në bindjen e shteteve anëtare — pasi, siç e dini, të gjitha duhet të bien dakord për heqjen e masave. Ne të dyja (Von der Leyen & Osmani) jemi të angazhuara për të gjetur hapat e nevojshëm për të arritur këto qëllime. Është e rëndësishme ta shohim Kosovën si partneren tonë dhe ta mbështesim rrugën e saj drejt BE-së,” tha ajo.
Kosova ka qenë nën masat e BE-së që nga qershori i vitit të kaluar, pas trazirave në veri me kryetarët shqiptarë, për të cilat ndërkombëtarët e akuzuan Qeverinë Kurti se nuk ndërmori masa për ta qetësuar situatën.
Në konferencë, von der Leyen po ashtu theksoi se zgjerimi do të jetë prioritet kryesor në mandatin e saj të dytë si presidente e KE-së dhe se është e angazhuar për t’u siguruar vendeve të Ballkanit Perëndimor të gjitha mjetet e nevojshme për anëtarësim në BE.
“E di që në vitet e fundit, Kosova ka punuar shumë për të forcuar demokracinë dhe sundimin e ligjit. Dua t’iu siguroj se në mandatin tim të dytë, zgjerimi do të jetë në krye të agjendës. Për mua, kjo është një nga projektet më të rëndësishme. Prandaj, do të punojmë së bashku për të vazhduar përpara, sepse jam e përkushtuar për një të ardhme ku të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor do të kenë mjetet dhe instrumentet e nevojshme për ta bërë këtë realitet,” theksoi ajo.
Presidentja e KE-së gjithashtu lavdëroi punën e Kosovës për Planin e Rritjes.
“Dua ta theksoj rëndësinë e Planit të Rritjes. Ky plan synon t’i afrojë ekonomitë e rajonit me tregun e përbashkët. Suksesi i zgjerimit nuk varet vetëm nga marrëveshjet politike dhe ndarja e vlerave, por edhe nga prosperiteti ekonomik. Kemi hapur tashmë sektorët e tregut të përbashkët për partnerët e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që kompanitë nga Kosova, për shembull, të kenë qasje në këtë treg. Prandaj, na nevojiten reformat për të siguruar pjesëmarrje të barabartë. Këto reforma do të shoqërohen me investime shtesë nga BE. Ka kaluar një vit që nga fillimi i këtij diskutimi dhe shumica e shteteve e kanë Agjendën e Reformave të gatshme. Kosova ka bërë një punë të shkëlqyer në këtë drejtim. Tani mund të fillojmë me parafinancimin e më shumë se 60 milion eurove. Ky projekt është i rëndësishëm për marrëdhëniet e Kosovës me BE-në. Varet nga ne që ta realizojmë atë,” tha ajo.
Von der Leyen gjithashtu diskutoi refuzimin e saj për ta takuar Milosh Vuçeviq të premten në Beograd, pasi kryeministri i Serbisë kishte takuar ministrin rus më parë, por nuk dha një përgjigje konkrete.
“Presidenti i Serbisë më priti në takim, dhe para meje ishin kryeministrat e Polonisë dhe të Greqisë, ndërsa ai zgjodhi të shkonte në Kazan. Ky ishte një mesazh i qartë,” përfundoi ajo./GazetaEnigma/