Votimi nga diaspora, KQZ refuzon disa aplikacione

Votimi nga diaspora, KQZ refuzon disa aplikacione

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar rekomandimin për refuzimin e aplikacioneve nga e-mail të dyshimta që kanë pranuar nga qytetarët që jetojnë jashtë Kosovës.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se tashmë i mbetet prokurorisë të hetojë ato e-mail të dyshimta, derisa anëtari i PDK-së në këtë komision, Arianit Elshani, deklaroi se janë evidentuar rreth 800 e-mail të dyshimta.

“Për KQZ-në janë të dyshimtë, nuk janë kredibile dhe janë një tendencë ndoshta për manipulimin e zgjedhjeve. Këto i kemi trajtuar dhe kemi rëne në konstatim se pas kontaktimit të 89 aplikacione, vetëm 3 kanë konfirmuar identitetin e tyre, të tjerët s’janë përgjigjur në numrat e tyre të telefonit ose s’kanë qenë funksionalë. Në total është numri prej 800 aplikacioneve të tilla që kanë ardhur”.

Elshani bëri të ditur po ashtu se një numër i madh i kësaj liste votuesish ishin nga komuna e Istogut.

Ndryshe, sekretariati i KQZ-së, njoftoi se tashmë kanë pranuar 10 mijë e 638 aplikime për regjistrim si votues nga jashtë Kosova, Ku deri tani kanë aprovuar 9 mijë e 652.

Afati për aplikim për regjistrim për zgjedhjet e 17 tetorit përfundon sonte pas mesnate. 

Related Articles