Gjykata Themelore e Prishtinës, ua ka vazhduar edhe për dy muaj, Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të cilët dyshohen për vrasjen e Liridona Ademajt.
Kjo u konfirmua nga zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi.
”Masa e paraburgimit të pandehurve iu llogaritet prej datës 29.02.2024 deri më datë 28.04.2024″, tha ajo.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 29 nëntor 2023, ku Naim Murseli, dyshohet se ka urdhëruar vrasjen e gruas së tij Liridona Ademaj.
Sipas prokurorisë, derisa Naim Murseli me bashkëshorten dhe dy fëmijët ishin në makinën e tyre, papritmas del para veturës i dyshuari Granit Plava me masë në kokë dhe revole në dorë ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri Naim Murseli me fëmijë ka dalë nga vetura dhe është larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur ndërsa në veturë ka mbetur tani e ndjera Liridona Murseli.
Ajo nuk kishte arritur të dalë nga vetura, pasi dyshohet se ishte qëlluar në pjesën e qafës më një plumb, duke mbetur e vdekur në vend. Ndërkaq, në deklaratën e tij në polici, Naim Murseli ishte shprehur se kishin pasur probleme martesore dhe që e kishin pamundësuar vazhdimësinë e lidhjes së tyre, mirëpo sipas tij ai nuk ka qenë i informuar që Plava do e kryente vrasjen atë ditë.
Të ndryshme kanë qenë deklaratat e Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës. Plava kishte thënë se kishte kohë që Murseli i bënte presion për t’ia vrarë gruan dhe se ky ishte detyruar sepse kishte probleme financiare dhe shëndetësore.
Ndërkaq, Kokalla ka deklaruar se ai nuk ka qenë në dijeni mbi vrasjen e Liridona Ademajt. Për vrasjen e Liridona Ademajt ka pasur reagime të shumta, ku edhe u kërkua dënim maksimal për personat që kanë kryer vrasjen.