Vrasja e tetë vjeçarit në Fier, ekspertët: Ishte ngjarje e paralajmëruar

Vrasja e tetë vjeçarit në Fier, ekspertët: Ishte ngjarje e paralajmëruar

Vrasja e 8-vjeçarit Mateo Vasiu në Fier, që tronditi të gjithë opinionin publik, për ekspertët, ishte e paralajmëruar.

Dokumentari Unpublished u fokusua në rrugën se si u mbërrit deri në aktin barbar dhe se çfarë mund të ishte bërë për ta parandaluar atë.

“Ne jemi një vend që heshtim, ne jemi individë që duam t’i shpëtojmë gjatë gjithë kohës së keqes, e cila na kërcënon përditë se mendojmë se e keqja kalon gjithmonë te tjetri dhe harrojmë se një individ është në lagjen tonë, në pallatin tonë, është shumë afër nesh”, thotë Helena Halilaj, pedagoge.

Klodian Çalamani ishte i njohur nga komuniteti ku ai jetonte për sjelljet e tij të pahijshme. Këtë, banorët e shprehën edhe mediatikisht.

Nga viti 2009 deri në 2021 ky person kishte jetuar në atë komunitet, të gjithë e njihnin si person që kishte qenë në burg, por edhe si përdorues të pijeve alkoolike dhe si përdorues të lëndëve narkotike, dhe si të dhunshëm dhe asocial sepse jetonte vetëm.

Dhe çuditërisht, për 16 vjet askush nuk bëri asnjë kallëzim për të.

Por nga ana tjetër, ishte i njohur edhe për drejtësinë. Atëkohë, mungesa e eksperiencës së drejtësisë shqiptare, bëri që ligji ta përkëdhelte dhe ta dënonte atë me vetëm 4 vjet burg.

Çalamani së bashku me kushëririn e Mateos, kishin rrëmbyer dhe rrahur barbarisht një 16 vjeçare.

“Një person i cili ka kryer një vepër penale në atë moment që e ka kryer do dënohet dhe gjykohet sipas dispozitës dhe parashikimeve të ligjit në atë periudhë. Dhe për atë periudhë në të cilën ai e ka realizuar veprën është dënuar, dispozita ajo ishte. Me ndryshimet e vazhdueshme të Kodit Penal, i cili nuk ndryshon se thjesht do dikush ta ndryshojë, por në bazë të rrethanave dhe ngjarjeve që mund të ndodhin, lind detyrimi për t’u plotësuar apo rënduar Kodi Penal”, tha Ermal Hamataj, jurist.

Shtyllat mbi të cilat rëndon përgjegjësia janë institucionet e hartimit dhe zbatimit të ligjit, si dhe vetë shoqëria.

“Të më pyesnin mua, pse këtij personi i është dhënë mundësia që të bëjë një vepër të tillë, janë vetë institucionet dhe shoqëria që ia kanë dhënë këtë mundësi”, thotë Mensut Ademi, drejtor ekzekutiv na ASKK.

Në 10 muajt e fundit në vendin tonë numërohen 900 fëmijë të dëmtuar nga vepra të ndryshme penale.

Related Articles