17 viktima nga aksidenti në Bullgari vijnë nga Studeniçani, mes tyre 10 ishin anëtarë të një familje

17 viktima nga aksidenti në Bullgari vijnë nga Studeniçani, mes tyre 10 ishin anëtarë të një familje

Komuna e Studeniçanit është komuna që e ka numrin më të madh të viktimave nga aksidenti i sotëm tragjik, derisa nga kjo komunë në rajon të Shkupit kanë vdekur 17 persona.



Kryetari i Studeniçanit, Azem Sadiku, ka thënë se ky lajm i ka tronditur të gjithë, derisa thotë se në komunën e tyre ka raste tepër tragjike si ai i një familjes që ka humbur 10 anëtarë.

“Lajmin e kemi marrë me shumë dhimbje. Është ditë shumë e rëndë për gjithë vendin, në veçanti për komunën e Studeniçanit, sepse fatkeqësisht numër shumë i madh i të vdekurve por edhe i të lënduarve është nga vendbanimet e komunës sonë. Kemi rastin e një familje që i ka dhjetë anëtarë të familjes që kanë humbur jetën – nëna me katër fëmijë, kunata tjetër me dy fëmijë edhe dy mbesa të kësaj familje që janë me prejardhje nga fshati Moranë. Kemi rast tragjik ku mësuesja që punon në shkollën e Studeniçanit bashkë me vajzën e saj 14 vjeçare kanë humbur jetën. Kemi edhe një çift dhe tri viktima nga fshati Koliçan i Poshtëm”.

“Dhimbja më e madhe është se në mesin e viktimave nga komuna jonë shtatë janë fëmijë, dhe kjo na shton akoma më shumë dhimbjen”.

Ai ka bërë të ditur se katër nga shtatë të mbijetuarit nga aksidenti i sotëm janë nga vendbanimet e kësaj komune.

“Gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetë. Jemi në kontakt me familjarët ku pjesa më e madhe e tyre kanë shkuar në vendin e ngjarjes.

Sadiku ka thënë se pret që institucionet përgjegjëse ta hetojnë këtë rast dhe ta gjejnë shkaktarin e djegies së autobusit ku si pasojë vdiqën 46 persona.

“Është me rendësi që autoritetet shtetërore duhet ta hetojnë rastin deri në fund. Unë si kryetar i komunës do të insistoj brenda mundësive të mia që të bëhet trysni e madhe që të zbardhet rasti, sepse duhet ta gjejmë shkakun pse ka ndodhur kjo tragjedi shumë e madhe që familjarëve dhe neve si bashkëvendasë të tyre na i ka copëtuar zemrat”, ka thënë ai për KlanKosova. /Gazeta Enigma/.

Related Articles