Në fund të nëntorit të vitit 2021 një ngjarje e rëndë tronditi vendin, ku pas një sulmi në drejtim të një autobusi me udhëtarë në fshatin Gllogjan të Deçanit mbetën të vrarë 3 persona, mes tyre dy të mitur, teksa edhe një tjetër ishte plagosur.
Për këtë rast, Prokuroria Themelore në Pejë kishte ngritur aktakuzë ndaj Kreshnik e Kastriot Mehmetajt për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe ndaj Halil Mehmetajt për “Shtytje në kryerje të veprës penale vrasje e rëndë”.
Ndërsa, gjatë ditës së sotme në Gjykatën Themelore të Pejës, filloi procesi gjyqësor ndaj tre të akuzuarve.
Gjatë kësaj seance gjyqësore gjatë leximit të aktakuzës ku prokuroria ka përshkruar mënyrën si dyshohet që u vra shoferi i autobusit Gani Gjokaj, e nxënësit Ledion Hamza e Gentiana Mustafaj, mbrojtja u ankua për mosposedim të të gjitha provave.
Gjithashtu, gjatë kësaj seance, prokurorja Sahide Gashi u shpreh se tre burrat e familjes Mehmetaj nga qelitë e burgut po i kërcënojnë dëshmitarët.
Nga ana tjetër, familjet e dy nxënësve të vrarë janë të bindur se kryesit e kësaj vepre tashmë janë të arrestuar.
Ndryshe, tre të akuzuarit janë arrestuar më 11 dhjetor të vitit 2021 dhe që nga ajo kohë ndodhen në paraburgim.