Një atentat me armë zjarri u shënua mëngjesin e sotëm në Sanxhak të Kurbinit, ku mbeti i vrarë 55 vjeçari Rakip (Pilot) Rroli.
Biznesmeni i cili u qëllua për vdekje mëngjesin e sotëm, në rrethana ende të paqarta, rezulton emër i njohur për policinë.
Viktima rezulton si një ish i burgosur në burgun e Shënkollit. Në vitin 2011 ai është përfshirë në plagosjen e një 22-vjeçari, ku së bashku me një person tjetër, rrahën me sende të forta të riun, duke e plagosur rëndë, pas një sherri për motive banale.
Ndërkaq, policia bëri me dije se ai është vrarë teksa udhëtonte me makinën e tij tip ‘Audi’, ndërsa është qëlluar me breshëri plumbash nga persona ende të paidentifikuar.
Burime për Top Channel bëjnë me dije se janë 3 persona të dyshuar të përfshirë në atentatin e bërë ndaj biznesmenit, ndërsa policia ka rrethuar zonën dhe janë ngritur pika kontrolli me qëllim kapjen e tyre.
Njoftimi i policisë:
“Rreth orës 08:45, në Sanxhak, Kurbin, në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi P.Rr, i cili po udhëtonte me automjetin e tij.
Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën, si dhe janë ngritur pika kontrolli, me qëllim kapjen e autorit.
Në ndihmë të Policisë lokale janë nisur grupe të FNSH-së dhe një grup i posaçëm hetimor për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve”.