Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, ka thënë se ka frikë se më 14 tetor, kur do të mbahet Samiti i Procesit të Berlinit, “do të ketë provokime të reja” nga Kosova “kundër serbëve”.
Ai ka përmendur mundësinë e ndonjë sulmi ndaj “institucionet tona të përkohshme” në Kosovë.
“Kam frikë se të hënën do të shihni ndonjë provokim të ri nga Prishtina, sepse njerëzit që janë veteranë të atyre ngjarjeve më kanë treguar se sa herë ka pasur një takim në nivelin e planifikuar, na ka ndodhur diçka e keqe në Kosovë. Shpresoj që kjo nuk do të ndodhë, por jam i shqetësuar se Kurti do të bëjë diçka atë mëngjes, si të sulmojë institucionet tona të përkohshme apo komunat në sistemin serb”, tha kryeministri serb Vuçeviq në radiotelevizionin e Vojvodinës (RTV).
Ai deklaroi se në Berlin do të jetë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, por se nuk do të ketë takim bilateral me të, por do të jetë në një format ku do të jenë bashkë.
“Ndoshta as ai dhe as unë nuk do të jemi shumë rehat, por ne nuk jemi zgjedhur për të qenë rehat, por për të mbrojtur interesat e vendit tonë. Është shumë më keq të mungosh dhe të merren vendime për ne pa ne”, u shpreh Vuçeviq.
Ndër të tjera, ai tha se “është në interesin tonë të ruajmë paqen dhe stabilitetin politik në rajon dhe që Serbia të zhvillohet në paqe”.
Vuçeviq theksoi se Procesi i Berlinit është i rëndësishëm për stabilitetin rajonal, dhe se i njëjti ka arritur rezultate që nuk duhen nënvlerësuar, me pak a shumë sukses.
I pyetur nëse pret presion edhe më të fortë në periudhën e ardhshme, Vuçeviq është përgjigjur se me siguri e pret atë, kryesisht rreth Kosovës.
“Nuk mendoj se do të ketë më pak presion në lidhje me vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, por mendoj se të gjithë e kanë parë që ne nuk kemi ndërmend të heqim dorë nga politika jonë dhe se nuk do t’i vendosim ato. Besoj se jemi duke u përballur me shumë presione për Kosovën, dhe me këtë nuk po them se po ndodhin gjëra të këqija për Serbinë, vetëm po them se do të ketë presion”, tha Vuçeviq.
Samiti i Procesit të Berlinit do të mbahet këtë të hënë (14 tetor) dhe nikoqir do të jetë kancelari gjerman, Olaf Scholz.