Vuçiç: India nuk do t’i përgjigjet Kosovës

Vuçiç: India nuk do t’i përgjigjet Kosovës

“India nuk do t’i përgjigjet Kosovës”, është shprehur i bindur Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pasi u pyet nga gazetarët se si e komenton thirrjen që Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka bërë këtij shteti për njohje.

“Kur Serbia kërkon mbështetje, ajo e merr mbështetjen dhe kjo gjë bëhet e ditur”, është përgjigjur presidenti serb.

Ai ka shpërfaqur garancën e tij te gazetarët duke thënë se ”kur ju dëgjoni se ne e kemi thirrur dikë, ata na përgjigjen. Atyre (Kosovës) nuk do t’u përgjigjen”.

Vlen të theksohet se presidentja Osmani ka bërë thirrje shtetit të Indisë që ta njehë Kosovën si shtet.

“Kosova nuk është Kashmir”, deklaroi Osmani duke kërkuar njohje nga India, duke ju referuar konfliktit në Kashmir që është një konflikt territorial mbi rajonin e Kashmirit, kryesisht midis Indisë dhe Pakistanit, dhe me Kinën që luan një rol të palës së tretë.

“Edhe njëherë i bëjmë thirrje qeverisë indiane që mbi të gjitha, të njohë vuajtjet e popullit të Kosovës nga regjimi gjenocidal i ish-presidenti i Serbisë, Slobodan Millosheviçit, dhe në radhë të dytë të pranojë realitetin i cili nuk do të ndryshojë”, është shprehur Osmani.

Siç raporton WION, nga të dhënat që kishin tregohej se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin provuar t’i bënin presion Indisë që ta pranonte Kosovën. Por, kryeqyteti i Indisë, New Delhi, nuk e ka bërë ende këtë “për shkak të shqetësimit se do të krijohej një paralele midis Kosovës dhe Kashmirit”.

Presidentja Osmani ka thënë se “është vetëm çështje kohe kur shtetet si India do tu bashkohen vendeve të tjera demokratike rreth botës, për të njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës”.

Madje, ajo ka përmendur edhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sipas së cilës, pavarësia e Kosovës është e bazuar në ligjin ndërkombëtar dhe nuk krahasohet me asnjë vend tjetër të botës.

Sipas saj, mënyra se si Kosova është pavarësuar, e bën të veçantë nga vendet e tjera, përfshirë këtu Kashmirin.

“Kam shpresa se do të kemi shansin të takohemi, në mënyrë që zyrtarët indianë të dëgjojnë anën tonë të rrëfimit. Është një rrëfim i vuajtjeve, këmbënguljes, por edhe shpresës së madhe për të ardhmen”, ka shtuar ajo.

Po ashtu, Osmani ka pohuar se Kosova nuk ka qenë asnjëherë arsyeja e luftërave apo paqëndrueshmërisë.

“Krejt e kundërta. Ne kemi bërë presion për stabilitet”, ka thënë presidentja Osmani.

“Shpresoj se mund të ulemi dhe të diskutojmë me qeverinë indiane në mënyrë që të mund të diskutojmë se si mund t’i përmirësojmë marrëdhëniet tona”.

“Shpresojmë të kemi një përgjigje pozitive. Duke dëgjuar anën tonë të historisë, e vërteta e së cilës është konfirmuar nga gjykatat ndërkombëtare, është ajo që ne shpresojmë të jemi në gjendje t’i tregojmë qeverisë indiane”, përfundoi Osmani.

Related Articles