Liderë rajonalë të Ballkanit Perëndimor dhe zyrtarë tjerë të lartë janë mbledhur sot në Shkup të Maqedonisë së Veriut, ku po marrin pjesë në punimet e konferencës së Bashkimit Evropian për rritje ekonomike të rajonit.
Në këtë Samit po marrin pjesë: Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Malit të Zi, Millojko Spajiq dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuciq.
Vuçiq foli para mediave ku tha se se takimet që kanë pasur mbrëmë dhe sot janë të rëndësishme për përparimin dhe zhvillimin e të gjithë rajonit.
“Besoj se takimet që kemi pasur mbrëmë dhe sot janë të rëndësishme për përparimin dhe zhvillimin e të gjithë rajonit. U fol vetëm me përfaqësues evropianë dhe amerikanë për planin e rritjes. Ne do të vazhdojmë të flasim sot. Ne folëm për dy gjëra të rëndësishme – njëra është tregu i përbashkët evropian dhe pjesëmarrja në tregun e përbashkët evropian. Më e rëndësishmja për ne janë ato vija të gjelbra, para së gjithash për kamionët tanë, që të kalojnë lirshëm kufijtë e vendeve të BE-së, për të ulur më tej kostot e tyre operative, për të forcuar tregtinë tonë, industrinë tonë. Për këtë është e nevojshme që ne ta bëjmë vetë në të gjithë rajonin, pavarësisht nga të gjitha pengesat që i ngritëm vetes, nga vendet e Ballkanit të Hapur, një pjesë të mirë besoj e kemi arritur”, tha ai.
Për fund Vuçiq tha se do t’i nënshkruajnë tre protokolle të rëndësishme për funksionimin e marrëveshjes për tregun e lirë të punës.
“Lajmi i rëndësishëm është se në ditët në vijim do të nënshkruajmë dy protokolle të rëndësishme për funksionimin e marrëveshjes për tregun e lirë të punës në Tiranë, Shkup dhe Beograd”, tha Vuçiq.