Vuçiq: Është shumë e rëndësishme të jemi të lidhur me Graçanicën tonë, por edhe me Prishtinën, Tiranën, Durrësin

Vuçiq: Është shumë e rëndësishme të jemi të lidhur me Graçanicën tonë, por edhe me Prishtinën, Tiranën, Durrësin
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka marrë pjesë në hapjen e një pjese të autostradës E-80 Nish-Merdarë, prej gjithsej 5,5 kilometra.

Vuçiq, ka thënë se autostrada Nish – Merdare do të jetë “shpëtim” për rajonin e Toplicës dhe se është me rëndësi të madhe për Prokupljën, Bllacën dhe Kurshumlinë dhe se do të kushtojë një miliard e 200, deri në një miliardë e 400 milionë euro.

Më tutje Vuçiq tha se si pjesë e procesit të Berlinit në vitin 2014, ka diskutuar me kancelaren e atëhershme gjermane Angela Merkel për lidhjen e Prishtinës me Nishin me autostradë dhe ka theksuar se Prishtina nuk është e interesuar për këtë.

“Mendoj se është shumë e rëndësishme që të lidhemi me Graçanicën tonë, por edhe me Prishtinën, Tiranën, Durrësin. Kjo na lehtëson punën dhe zhvillimin, importin dhe eksportin e mallrave dhe shërbimeve”, ka thënë ai.

Presidenti ka shtuar se Serbia ka më shumë për të humbur se Kurti.

“Ne kemi shumë më tepër për të humbur se Kurti. Ne kemi një ekonomi shumë më të fortë, njerëzit jetojnë shumë më mirë, rrogat tona janë pak më shumë se dy herë më të larta se më poshtë. Kur të rritet për edukatorët dhe infermierët në shtator dhe më pas për një numër të konsiderueshëm ushtarakësh, do të ndihet. Nga fundi i vitit po e rrisim edhe pagën minimale”, tha ai.

Related Articles