Vuçiq kërcënon: Do të luftojmë kundër anëtarësimit të Kosovës në NATO

Vuçiq kërcënon: Do të luftojmë kundër anëtarësimit të Kosovës në NATO

Kongresistët amerikan, Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Laëler, kanë paraqitur një rezolutë në Dhomën e Përfaqësuesve në ShBA për të shprehur mbështetje të fortë për integrimin e Kosovës në NATO.

Por, këtë iniciativë po zotohet se do ta luftojë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Ne së shpejti do të kemi ushtrime të rëndësishme me ta (NATO). Po bisedojmë me ta, shpresojmë që kjo të mos ndodhë. Do të luftojmë që diçka e tillë të mos ndodhë. Mos harroni se ekzistojnë katër vende që janë anëtare të NATO-s, siç janë edhe pesë anëtare në BE, që nuk e kanë njohur Kosovën. Nuk e shoh se si kjo mund të kalojë lehtë, por të presim e të shohim”, tha Vuçiq për gazetarët, raporton agjencia serbe e lajmeve “Tanjug“.

Në rezolutën e propozuar nga kongresistët amerikanë, përmenden disa prej arsyeve që Kosova meriton anëtarësimin në NATO.

“Për më tepër, ndërsa forcat kundërshtare vazhdojnë të destabilizojnë rajonin, shtimi i Kosovës në aleancën e NATO do të shërbente si një kundërpeshë e domosdoshme për t’i dekurajuar përpjekje të tilla armiqësore dhe për të parandaluar një katastrofë tjetër globale në Ballkan”, thuhet në rezolutë.

Katër shtete anëtare të NATO-s , Greqia, Rumania, Sllovakia e Spanja, ende nuk e kanë njohur Kosovën shtet.

Rezoluta bën thirrje këtyre katër aleatëve t’i rishqyrtojnë qëndrimet e tyre, duke theksuar se njohja më e gjerë e Kosovës është thelbësore për ta zhbllokuar rrugën e saj drejt integrimit në NATO dhe për të mbyllur një boshllëk strategjik në Evropën Juglindore që kundërshtarët kërkojnë ta shfrytëzojnë.

Ai ka shtuar se shtimi i Kosovës në aleancë është thelbësor për ta kundërshtuar ndikimin në rritje të kundërshtarëve në Evropë.

Në rezolutë thuhet se shtimi i Kosovës në aleancën e NATO është thelbësor për të mbrojtur interesat e sigurisë kombëtare të Shtetet e Bashkuara në Evropën Juglindore.

Related Articles