Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se Serbia nuk ka nënshkruar asgjë, duke iu referuar takimit që pati me përfaqësuesit e BE-së, SHBA-së, Francës, Gjermanisë dhe Italisë, të premten e kaluar për hapat e mëtejshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, raporton N1.
“Unë mund t’i them popullit të Serbisë se ata i besojnë udhëheqjes së tyre”, tha ai.
“As sot, as nesër, as për një muaj e as për tre nuk do të ndodhë gjë. Por kur të jemi përballë kërkesave përfundimtare, do të deklarohet edhe Kuvendi edhe populli. Në ditët në vijim do t’i thërras të gjithë përfaqësuesit e grupeve parlamentare në Kuvend, të cilët duan të dëgjojnë detajet (të takimit), se çfarë fshihet pas gjithçkaje… Është shumë e rëndësishme t’u tregojmë të gjithëve se ne duam paqe në rajoni, se akuzat se do të sulmojmë dikë janë të rreme, se tregojmë se çfarë presim në të ardhmen dhe të luftojmë për të dhe kështu do të bëjmë”, tha Vuçiq.
Ai ka thënë se korniza e re e negociatave nuk e përmend askund drejtpërdrejt OKB-në apo Këshillin e Evropës, por thotë se nuk do ta pengojmë hyrjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
“Nëse zgjedhja është që kemi izolim dhe sanksione, dhe më e keqja është tërheqja e investimeve, që më është thënë tri herë, ose nga ana tjetër, ne pranojmë gjithçka menjëherë, që do të thotë Kosova në OKB. Unë jam për një rrugë kompromisi sa më shumë, luftoni dhe shtyni”, theksoi ai.
“Është në dorën tonë që me kompromis të arrijmë normalizimin e marrëdhënieve dhe që njerëzit në Kosovë të jetojnë normalisht”, tha ai.
Ai shtoi se në gjysmën e dytë të vitit “na presin ditë të vështira, se në mesin e bashkëbiseduesve ka parë vendosmëri të madhe” dhe “do të jetë shumë e vështirë të shmangen kohët dhe ngarkesat e vështira”.
“Unë e di se çfarë do të vendos, por jo në emër të Serbisë, organet e tjera kompetente shtetërore dhe mundësisht qytetarët do të vendosin në emër të Serbisë”, tha Vuçiq.