Vuçiq: Në zgjedhje nuk do të dalin më shumë se 100 serbë

Vuçiq: Në zgjedhje nuk do të dalin më shumë se 100 serbë
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq mendon se në zgjedhjet e 23 prillit në veri të Kosovës nuk do të dalin më shumë se 100 serbë.

Sipas tij “askush nuk do të votojë në kontejnerët e Policisë për pushtuesin Albin Kurti”.

Ai ka thënë se “njerëzit nga Perëndimi po bëjnë cirk”.

“Sa i përket Jabllanoviqit, dhe vendimit të tij është vendim i zgjuar dhe i mençur, sepse serbët që realisht jetojnë në veri të Kosovës, nesër nuk do të dalin më shumë se 100, sepse këta njerëz nga perëndimi po krijojnë një cirk, mendojnë se me dhune mund t’i detyrojnë serbet ta duan Kosovën e pavarur, do paguajnë disa organizata joqeveritare, disa media, duke i detyruar te marrin pjesë në zgjedhje dhe ne fund do ta shihni se populli serb nuk do, ata bashkuan popullin serb, ata bashkuan njerëzit që mendojnë ndryshe, ata bashkuan njerëzit që mendojnë gjithnjë e më ndryshe”, ka thënë Vuçiq.

Vetëm tri ditë para mbajtjes së zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës, Aleksandër Jabllanoviq, nga Partia e Serbëve të Kosovës, është tërhequr nga gara.

“Askush nuk do të shkojë në kontejnerin e policisë dhe të votojë për pushtuesin Albin Kurti, sepse nga nesër Albin Kurti do të jetë zyrtarisht pushtues në të katër komunat në veri të Kosovës, ai apo dikush nga partia e Thaçit, pak ka rëndësi dhe të gjithë e dinë, kështu që është mirë që ata në perëndim mund ta dëgjojnë dhe ta shohin bukur”, ka thënë ai.

Më 23 prill do të mbahen zgjedhjet në Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote në këto katër komuna, që të dalin dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës.

Për këtë proces zgjedhor ka folur edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier. Ai ka deklaruar se pozicioni amerikan nuk ka ndryshuar.

“Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë do ta vëzhgojnë këtë proces nga afër”, ka deklaruar Hovenier për REL.

Ndërsa Policia e Kosovës ka njoftuar për planifikimet dhe angazhimet në menaxhimin e sigurisë gjatë procesit zgjedhor.

Institucioni i sigurisë u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë me Policinë, Prokurorinë e Shtetit dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke raportuar për çdo rast të kundërligjshëm ditën e 23 prillit.

Related Articles