Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk arriti të takohet dot me Sekretarin e Thesarit të SHBA-së, Scott Besant gjatë qëndrimit në New York.
Vuçiq u tha gazetarëve serbë se nuk u takua me Besant, edhe pse takimi ishte rregulluar, sepse “papritmas ministri amerikan pati një takim të ri”. Por shtoi se zyrtarët me të cilët foli – Richard Grenell dhe John Jovanoviq – ishin “në koordinim” me Besent, raporton Nova.
Me Grenell, të dërguarin special të presidentit amerikan për misione speciale, dhe Jovanoviq, presidentin e ri të Bankës Amerikane të Eksport-Importit (EXIM), ai diskutoi gjithashtu tarifat prej 35 përqind të aplikuara për mallrat nga Serbia.
“Kemi folur për këtë, por do të jetë një proces më i gjatë. Shpresoj ta zgjidhim me sukses. Shoh që rruga është e gjatë, por ende ka dritë në fund të tunelit, pavarësisht procedurave shumë të ndërlikuara”, tha Vuçiq, i cili ndodhet në Nju Jork duke marrë pjesë në sesionin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Tarifat e larta të SHBA-së për importet e mallrave nga vende të shumta hynë në fuqi më 7 gusht. Ato të vendosura ndaj Serbisë janë më të lartat në të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe, menjëherë pas Zvicrës, më të lartat në Evropë.
Serbia mori një tjetër shuplakë dje. Në një fjalim për mediat, Vuçiq tha nga Nju Jorku se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vendosin sanksione ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS) nga 1 tetori dhe paralajmëroi se Serbia “po pret kohë të vështira dhe dimër”.
“Nuk mund ta quaj këtë lajm të mirë, por ishte i pritshëm sepse jua njoftova dje. Më duket se amerikanët e kanë zgjatur mosvendosjen e sanksioneve vetëm për katër ditë të tjera, nga 27 shtatori deri më 1 tetor”, u tha Vuçiq gazetarëve.