Vuçiq shkelë nenin 4 të propozimit evropian – Cilat janë pasojat për Serbinë nëse krijohet një përplasje e re?

Vuçiq shkelë nenin 4 të propozimit evropian – Cilat janë pasojat për Serbinë nëse krijohet një përplasje e re?

Takimi tre palësh në Bruksel, mes Kurtit, Vuçiqit dhe përfaqësuesve të BE-së, Lajçakut dhe Borellit, rezultoi me dakordim për pranim të planit evropian.

Mirëpo, Kurti pas takimit u shpreh i pakënaqur, sepse sipas tij presidenti serb ka tendencë për shkelje të nenit 4 të planit evropian. Plan ky i pranuar nga të dy palët me ndërmjetësimin e BE-së.

“Kjo do të përbënte një shkelje të qartë të Nenit 4 të propozimit të BE-së”, u shpreh Kurti.

“Normalizimi i marrëdhënieve është i mundshëm vetëm nëse të dyja palët negociojnë me mirëbesim. Serbia me sa duket vendosi që të mos e bënte”, vazhdoi tutje Kurti.

Përplasje tjetër mes Kurtit dhe Vuçiqit në horizont

Analisti Amir Shabani komentoi mosdakordimin e radhës mes Kurtit dhe Vuçiqit.

Sipas Shabanit, mosdakordimi i tyre ishte më delikate në nenin 4, ku potencohet për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe mospengimin e Serbisë ndaj Kosovës në këtë drejtim.

Ai theksoi se strategjia e presidentit serb është të nxjerr keq Kurtin, me argumentin se ai nuk do negociata, pasi sipas Shabanit kryeministri kosovar ka kërkuar nga presidenti serb që ta nënshkruaj propozimin evropian, por që ky i fundit nuk ka pranuar.

“Edhe pse në tryezë tema ishte plani franko-gjerman, Vuçiç ka kërkuar që të diskutohet për Asociacionin e komunave serbe. Madje ai pas takimit e pranoi se ka kërkuar që në krye të bisedimeve të jetë kjo çështje. Vetë Albin Kurtit i ka kërkuar që ta nënshkruaj planin franko-gjerman, pasi ai e mbështet, mirëpo Vuçiç ka refuzuar. Duket se strategjia e presidentit serb është të nxjerr keq Kurtin, me argumentin se ai nuk do negociata”, ka thënë Shabani për Gazetën Enigma.

Mes tjerash, Shabani thotë se presidenti serb po tenton ta zvarrit edhe më shumë çështjen e Kosovës.

“Sa i përket luhatjes së Vuçiqit në lidhje me mospranimin e planit franko-gjerman, veçanërisht kundërshtimin e nenit 4, ai po tenton të fitojë kohë për ta zvaritur edhe më shumë çështjen e Kosovës, të cilën kësaj radhe e ka pranuar de facto dhe së shpejti do duhet ta pranon de jure si shtet të pavarur dhe sovran”, ka potencuar Shabani.

Nga ana tjetër, Shabani thotë se Kosova ka hezituar të lejojë komunat me shumicë serbe Brenda Kosovës, krejt kjo për shkak të frikës së krijimit të një enclave të shkëputur që do të minonte sovranitetin e saj.

“Kosova ka hezituar të lejojë komunat me shumicë serbe brenda Kosovës të bashkohen në një shoqatë të mbështetur nga Beogradi, nga frika e krijimit të një enklavë të shkëputur që do të minonte sovranitetin e saj. BE-ja tani po e shtyn idenë si pjesë e planit të saj”, ka shtuar ai.

Cilat mund të jenë pasojat e Serbisë nëse nuk tërhiqet për mosshkelje të nenit 4?

“Diplomacia perëndimore ia ka bërë me dije Vuçiqit se nëse ky plan nuk zbatohet, do të përballen me: – ndalimin e negociatave të anëtarësimit me BE-në; – pengimin e ardhjes së investimeve të mëtejshme nga bota perëndimore dhe tërheqjen e investimeve nga Serbia; – masa të tjera gjithëpërfshirëse që duhet të tregojnë se si duhet të kalojnë ata që nuk janë dakord me BE-në”.

Kështu ka potencuar analisti Shabani, deri shtoi se Serbia detyrohet që të mos e kundërshtoj anëtarësimin e Kosovës në institucione ndërkombëtare.

“Serbia detyrohet që të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare, pra në një farë mënyre një njohje e pashkruar në letër, e që herët apo vonë, një gjë e tille do të materializohet”, ka potencuar ai.

Çka thotë neni 4?

Në dokumentin e publikuar nga ana e Bashkimit Evropian (BE), shkruhet në mënyrë eksplicite se Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

“Palët nisen nga supozimi se asnjëra nga këto të dyja nuk mund ta përfaqësojë palën tjetër në sferën ndërkombëtare apo të veprojë në emër të saj. Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”, ka thënë Kurti.

Çfarë thanë kryenegociatorët?

Përveç se normalizimi është i mundshëm vetëm nëse të dyja palët negociojnë me mirëbesim, Kurti u shpreh i pakënaqur sepse presidenti serb nuk është treguar korrekt me nënshkrimin e marrëveshjes. Kjo për shkak se ky i fundit ka tendencë për shkelje të nenit 4, që gjë e pengon Kosovën për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Kryediplomati evropian, Josep Borrell, është shprehur se palët ishin pajtuar që madje as të mos kishte negociata shtesë për tekstin e propozimit që do të quhej “Marrëveshja e rrugës për normalizimin e marrëdhënieve”. Ajo çka do të negociohej më tej ishte “plani i zbatimit”.

“Jam i lumtur të lajmëroj që presidenti Vuçiç dhe kryeministri Kurti sot janë pajtuar se nuk nevojiten diskutime të tjera sa i përket propozimit të Bashkimit Evropian”, ishte shprehur Borrell.

Ndërsa, presidenti serb ishte shprehur kategorik në këtë pjesë, pasi edhe pas takimit me Macron dhe Scholz në Mynih, tha se nuk mund të bisedohet për pranim e hyrje të Kosovës në OKB.

“Serbia ka gatishmëri që të punojë për zbatimin e shumë gjërave nga propozimi, por ne e bëmë një kundërshtim të madh e të qartë. Këtë gjë ia thashë Macronit dhe Scholzit në Mynih, dhe krejt liderëve të mëdhenj. Është fjala se nuk dua dhe nuk mund të bisedohet për njohje reciproke dhe për pranim e hyrje të Kosovës në OKB. Më thanë që nuk ka negociata për këtë gjë. E përsëris, nuk do të marrë pjesë në zbatimin e disa gjërave… I thashë Macronit, Scholzit, Lajçakut. Ndërsa unë jam president i Republikës, nuk do të nënshkruaj as njohjen formale e as joformale të Kosovës, as anëtarësim në OKB,” – u shpreh ai.

/GAZETA ENIGMA/

Related Articles