Vuçiqi, Trumpit të Ri: Zgjidhja me Kosovën duhet të jetë një lloj kompromisi

Vuçiqi, Trumpit të Ri: Zgjidhja me Kosovën duhet të jetë një lloj kompromisi

Donald Trump Jr., djali i presidentit amerikan, ka zhvilluar një intervistë me presidentin e Serbisë, Alleksandar Vuçiq.

Në mesin e temave, sigurisht se vend zuri edhe çështja e Kosovës, për çka Vuçiqi tha se “zgjidhja” mes dy vendeve duhet të jetë një lloj kompromisi.

“Për dallim nga njerëzit në Prishtinë, të cilët nuk dua t’i kritikoj e as ta shfrytëzoj rastin e të them gjëra të këqija për ta, do të them se jemi nën presion të madh për këtë çështje, të gjithë apo shumë njerëz duan të minojnë integritetin tonë territorial dhe kushtetutën tonë. Por, gjëja kryesore është se ne gjithmonë kemi qenë të hapur për t’u afruar me një konsensus apo marrëveshje mes nesh dhe Prishtinës, por duhet të jetë një far zgjidhje kompromisi, jo e njëanshme”, deklaroi Vuçiqi në këtë intervistë.

Tutje, ai foli edhe për mandatin e parë të Trumpit, i cili tha se ishte i interesuar për zhvillimin ekonomik të rajonit.

Vuçiqi e përmendi edhe Marrëveshjen e Uashingtonit, teksa tha se të njëjtën nuk e deshën evropianët.

“Por, evropianët ishin fuqishëm kundër asaj marrëveshjes që e quajmë Marrëveshja e Uashingtonit, sepse menduan se janë shumë më të mençur, se ishte një qasje sipërfaqësore, apo se donin të kishin timonin në dorën e tyre”, u shpreh kreu i shtetit serb.

Presidenti serb foli edhe për bombardimet e NATO-s në Serbi në vitin 1999, teksa tha se intervenimi u bë “në shkelje të së drejtës ndërkombëtare”.

Veç tjerash, Vuçiqi i tha Trumpit të Ri se serbët, deri në ardhjen në skenën politike të Trumpit në ShBA, “nuk i besonin asnjë lideri tjetër politik nga Shtetet e Bashkuara”.

“Tani ka një ndryshim të madh dhe një përmbysje të madhe. Trumpi është bërë shumë popullor në Serbi. Ky (Serbia) ishte vendi ku Trumpi gëzonte popullaritetin më të madh në të gjithë Evropën, dhe me një diferencë të madhe”, tha Vuçiqi. 

Related Articles