Posedimi i armëve të zjarrit është shndërruar në një dukuri negative, pasi që përpos që është e kundërligjshme, po cenohet edhe siguria e qytetarëve. Edhe rastet kur përdoren armët janë mjaft të shpeshta, sidomos nga personat e moshave të reja.
Një rast i tillë është zbuluar të dielën në mbrëmje në Vushtrri, ku pati të shtëna me armë zjarri në oborrin e një shtëpie.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se një 18-vjeçar po dyshohet se ka gjuajtur rreth 10 herë, për motive akoma të panjohura.
Posa rasti është denoncuar në Polici, njësitë përkatëse kanë intervenuar, me ç’rast në vendin e ngjarjes janë gjetur gëzhojat, e po ashtu edhe arma e të dyshuarit me dhjetëra fishekë – që më pas janë konfiskuar.
Ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku edhe e ka pranuar veprën me të cilën ngarkohet.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të iniciohet rasti për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”.