Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe në takimin e nivelit të lartë në Këshillin e Sigurimit ku rikonfirmoi se Shqipëria është solidare me Ukrainën dhe do të vazhdojë të qëndrojë në anën e së drejtës, në anën e Ligjit, në anën e Lirisë dhe respektit.
“Asnjëherë më parë Shqipëria nuk ka qënë kaq aktive, e angazhuar dhe e respektuar në angazhime që shkojnë përtej perimetrit klasik të aktivitetit tonë diplomatik, në bashkëpunim e koordinim të plotë me miqtë, aleatët dhe partnerët tanë, në respekt të parimeve dhe vlerave që ndajmë bashkë me ta”, tha Xhaçka, shkruan abcnews.
Gjatë qëndrimit dyditor në Nju Jork, përveç pjesëmarrjes në takimet përkujtimore mbi Ukrainën, Ministrja Xhaçka u takua edhe me homologët e Italisë, Kroacisë, Estonisë, Spanjës, Hungarisë, Maqedonisë së Veriut dhe Ukrainës për të diskutuar mbi çështje të aktualitetit ndërkombëtar që lidhen me sigurinë evropiane, mbi nevojën për të gjetur rrugët dhe mekanizmat për të imponuar llogaridhënie, por edhe për ecurinë e procesit të negocimit për anëtaresim në Bashkimin Evropian si dhe çështje specifike dypalëshe.
“Plot një vit pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë, bota vazhdon të jetë e bashkuar në dënimin kësaj lufte të padrejtë, të vuajtjeve, krimeve e mizorive të shkaktuara si dhe në thirrjen e njëzëshme drejtuar Rusisë për t’i dhënë menjëherë fund kesaj marrëzie.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së konfimoi me një shumicë dërrmuese prej 141 votash një rezolutë – të bashkësponsorizuar edhe nga Shqipëria, për paqe të drejtë, bazuar në Ligjin ndërkombetar dhe në Kartën e Kombeve të Bashkuara.