Granit Xhaka është njëri prej futbollistëve më të kritikuar në futbollin anglez, përfshirë këtu edhe nga tifozët e klubit të tij, Arsenal.
Por, ai mund të jetë njëri prej lojtarëve më të keqkuptuar nga publiku, sipas serisë së re të dokumentareve “All of Nothing”.
Mesfushori luftarak është paragjykuar shpesh, por në realitet insiston se është person i qetë dhe i ndershëm.
Madje, përfaqësuesi zviceran e sheh veten si model për t’u ndjekur nga të rinjtë, përkundër faktit se për pesë vjet i ka marrë pesë kartonë të kuq në Angli, ku ishte transferuar në vitin 2016 nga Borussia Monchengladbachu.
29 vjeçari e ka shfrytëzuar mundësinë e ofruar nga Amazon Prime Video për ta dhënë një anë tjetër të historisë së tij.
“Njerëzit mendojnë se jam mjaft agresiv për shkak të lojës sime. Ju na shihni ne vetëm 90 minuta në fushë. Ekzistojnë njerëz që të duan, por edhe të tjerë që nuk të duan. Ata të kritikojnë, shkruajnë gjithçka. Është mjaft e vështirë”, thotë fillimisht Xhaka.
“Njerëzit mendojnë se lojtarët mendojnë vetëm për vetura, shtëpi, para… Por, askush nga ne nuk e kishte nisur futbollin si fëmijë vetëm për para. Ju filloni të luani futboll pasi e doni atë. Njerëzit harrojnë se ne jemi njerëz, mbi të gjitha. I kemi familjet dhe vetëm përmes tyre ne mund t’i kalojmë momentet e vështira”, vazhdoi mesfushori kosovar.
Xhaka insiston se pasioni i tij për këtë sport ka bërë që ai të ndëshkohet me 5 kartonë të kuq që nga debutimi me Arsenalin, ndërsa vetëm sezonin e kaluar është skuqur dy herë.
“Po, unë e dua këtë sport”, vazhdoi ish-kapiteni i Arsenalit.
“Ky jam unë, kështu jam bërë. Nuk mund ta ndryshoj veten sot për nesër. Natyrisht, unë duhet të përmirësohem dhe e di se kam nevojë të përmirësohem”, kishte thënë Xhaka vitin e kaluar për “Sky Sports”.
Sidoqoftë, Xhaka është i vendosur ta zhvillojë një sezon sa më pozitiv me Arsenalin, e natyrisht, të marrë sa më pak kartonë.
Edhe pse kërkohej me ngulm nga Jose Mourinho në Romë, vitin e kaluar Xhaka e vazhdoi kontratën me Arsenalin deri më 2024.