Zëvendëskryeministrja e Kosovës Donika Gërvalla, ka dhënë një intervistë ekskluzive mbrëmjen e sotme në Top Story me moderatoren Grida Duma, ku ka treguar momentin kur ka mësuar sulmin në veri të Kosovës.
Gërvalla tha se ditën kur ndodhi ngjarja ndodhej në New York dhe është informuar mbi situatën nga Ministri Sveçla.
Zyrtarja e Kosovës tha se janë përqendruar në aktivizimin e politikës së jashtme me qëllim që të informojmë botën me ngjarjen e vërtetë.
“Nuk e shoh veten të jem në politikë kaq gjatë, duke ardhur nga një familje në të cilën politika është kaq shumë e rëndësishme, për mua ka qenë më se e rëndësishme. Shumë shpejt e kam gjetur veten në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Kemi zhvilluar protesta shumë masive, unë nuk e shoh si pjesë e politikës por si një formim shumë të nevojshëm. Në brendësi jam një vajzë nga Prishtina që nga një histori e dhimbshme ka përfunduar në Tiranë, ku kam pasur fatin të jem pjesë e lëvizjes studentore. Si Ministre e Punëve të jashtme është e vërtetë që duhet të ruaj balancën por edhe të jem e qartë. Duhet gjetur momenti kur gjërat të thuhen aq shkoqur dhe gjetjen e ekuilibrit me partnerë. Mendoj që Kosova nuk e ka luksin të flasë për ndryshimet klimatike ndërkohë që ne kërcënohemi. Natën që nisi agresioni kam qenë në New York dhe më ka telefonuar ministri Xhelal Sveçla, më tregoi ngjarjen dhe më ka rrëshqitur gjaku te thembrat. Pasi më tha na kanë sulmuar i thashë çfarë ka ndodhur në të vërtetë dhe më tha që një polic ka vdekur në krye të detyrës. Na e ka marrë mendja që do të vinin rrethana të vështira. Nuk do ja uroja këtë situatë asnjë personi që merret me politikë, përgjegjësia është shumë e madhe.
Unë qëllova larg megjithatë teknologjia na e bën të mundur në mbetemi në kontakt. Jemi përqendruar në një fushë krejt tjetër në aktivizimin e politikës së jashtme me qëllim që ta informojmë botën me ngjarjen e vërtetë.”