Xherdan Shaqiri ka asistuar në golin e parë të Zvicrës të shënuar në “Euro 2020” në ndeshjen ndaj Uellsit që u mbyll 1-1.
Shaqiri asistoi për Breed Embolon që shënoi në minutën e 49-të, pasi harkimi i shqiptarit gjeti kokën e sulmuesit.
Se anësori shqiptar në këto nivele shfaqet më së miri, tregon edhe fakti që ai ka shënuar ose asistuar në 50 për qind të golave të Zvicrës në turne të mëdha që nga viti 2014 (Kupa e Botës e Kampionatin Evropian).
Shaqiri ka gjetur portën në pesë raste, ndërsa ka asistuar tre herë, në 16 golat e kombëtares së tij.
Kjo është një statistikë e mirë për futbollistin me origjinë shqiptare, i cili është në formë të mirë edhe në tri ndeshjet e fundit, ku ka shënuar ose asistuar.
Ai asistoi në ndeshjen ndaj Bullgarisë, shënoi më pas ndaj Lituanisë, kurse asistoi përsëri sot.
Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka janë dy futbollistët më të mirë të Zvicrës./Gazeta Enigma/