Xhudistët e Kosovës shkëlqejnë në Kampionatin Ballkanik për U18 në Budva

Xhudistët e Kosovës shkëlqejnë në Kampionatin Ballkanik për U18 në Budva

Kampionati Ballkanik U18 që po zhvillohet në Budva të Malit të Zi, ka filluar me sukses për ekipin e xhudistëve kosovar.

Xhudisti kosovar Milot Gashi ka shkëlqyer në ditën e parë të garave, duke fituar medaljen e artë në kategorinë deri në 66 kilogramë.

Gashit iu desh të fitojë plot pesë luftëra për të arritur deri te medalja e artë. Në finale, ai triumfoi ndaj një garuesi moldav që konsiderohej favorit për vendin e parë.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë trajneri Driton Kuka me anë të një postimi në Facebook, ku bëri të ditur se afër medaljeve ishin edhe Ron Reshitaj në kategorinë 73 kilogramë dhe Jon Haxhiu në kategorinë 60 kilogramë.

“Të dy xhudistët arritën nga tri fitore gjatë garës, por nuk ia dolën të sigurojnë medalje, pavarësisht paraqitjeve të mira” ka shkruar Kuka.

Ndërkohë, nga ekipi shqiptar u dallua  Krista Kovaçi, e cila fitoi medaljen e argjendtë në kategorinë deri në 63 kilogramë.

“Krista Kovaçi vajza Shkodrane që po kalitet e rritet si sportiste në Pejë në Qendrën Kombëtare të xhudos e klubin “ Ippon” u stolis me medalje të argjendtë dhe dita ditës po e rrit nivelin e saj”, ka shtuar ai.

Garat në Ballkanikun U18 do të vazhdojnë edhe të nesërmen, ku pritet të paraqitet pjesa tjetër e ekipit të Kosovës.

Related Articles