Nesër përfundon afati për aplikimin e subjekteve të reja politike në zgjedhjet e 7 qershorit

Nesër përfundon afati për aplikimin e subjekteve të reja politike në zgjedhjet e 7 qershorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se nesër në orën 24:00 përfundon afati për aplikimin e subjekteve të reja politike që duan të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.

Sipas KQZ-së, procesi i certifikimit vlen vetëm për subjektet e reja politike si koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur, ndërsa partitë politike konsiderohen të certifikuara automatikisht sipas ligjit në fuqi.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se deri më 10 maj duhet të dorëzohen aplikimet online për certifikim, ndërsa deri më 12 maj subjektet politike kanë afat për të dorëzuar listat me kandidatët për deputetë.

Sipas tij, procedura e aplikimit po zhvillohet përmes platformës elektronike dhe është e njëjtë me proceset e zgjedhjeve të kaluara.

Deri më tani, nga 53 parti politike të regjistruara në Kosovë, 22 prej tyre kanë konfirmuar pjesëmarrjen në zgjedhje, 9 kanë njoftuar mospjesëmarrjen, ndërsa janë formuar 3 koalicione.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, KQZ kishte certifikuar mbi 1,100 kandidatë për deputetë nga 24 subjekte politike, përfshirë parti, koalicione, nisma qytetare dhe kandidatë të pavarur.

KQZ pritet që pas përfundimit të afateve të publikojë listën përfundimtare të subjekteve dhe kandidatëve që do të garojnë në zgjedhjet e 7 qershorit.

Related Articles