Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj dy ditë më parë në ambientet e resortit të tij në Shëngjin.
Personat që kanë parë të gjithë ngjarjen janë banakieri i lokalit dhe roja, të cilët kanë treguar dinamikën e ngjarjes, si dhe kanë përshkruar fizikisht autorin.
“Rreth orës 13 e 27 minuta unë kam qenë në banak, dhe i ulur në tavolinën përballë ka qenë pronari Ardiani, i vetëm. Në këtë kohë ka hyrë në lokal një person mashkull, i cili ishte trup i gjatë rreth 190 cm, i shëndetshëm, i cili mbante veshur një veshje të trashë dhe një jelek pune jeshil sipër rrobave, ndërsa në kokë kishte skafandër dhe dorën e kishte në çantë, me rrip të lidhur në trup.
Pasi është afruar afër banakut na ka përshëndetur duke na thënë “si e kalut” dhe është afruar tek tavolina ku ndodhej Ardiani dhe pasi ka nxjerrë armën nga çanta ka filluar të qëllojë. Nuk kam arritur ta fiksoj fytyrën e tij, pasi ndodhi gjithçka shumë shpejt.
Gjithashtu nuk jam në gjendje të them se nga cila zonë mund të ketë qenë, por mendoj se nga Veriu ose Shqipëria e mesme, pasi nuk m’u duk dialekt jugor”.- ka rrëfyer banakieri.
Ndërsa roja ka thënë se në momentin që autori është futur brenda, i ka thënë këtij që të largohet dhe më pas ka qëlluar menjëherë në drejtim të shënjestrës.
“Isha brenda lokalit dhe po përshëndeta pronarin Ardianin i cili sapo kishte ardhur dhe u ul në tavolinë. Në ato momente erdhi nga mbrapa nga ana e djathtë e imja, një burrë i gjatë.
Ai më tha veç “largohu” dhe hyri brenda në lokal dhe shkoi në drejtim të Ardianit dhe qëlloi ndaj tij. Autori ishte i gjatë, trup i mbushur, kishte një zë të trashë, por theksin nuk e mbaj mend”, ka thënë roja i biznesit.