Ka marrë kthesë rasti i aksidentit tragjik në Lluzhan të Podujevës, ku 70-vjeçari Salih Bulliqi humbi jetën pasi u godit nga një veturë, drejtuesi i së cilës ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Pas hetimeve, Policia ka arritur të identifikojë shoferin e dyshuar dhe automjetin e përfshirë në aksident, ndërsa i dyshuari është paraqitur në Polici i shoqëruar nga avokati mbrojtës.
Burimet e Enigmës bëjnë me dije se shoferi i dyshuar është Herolind Hasani, ndërsa automjeti që dyshohet se ishte përfshirë në aksident është një Audi A6, ngjyrë e zezë metalike.
Aksidenti kishte ndodhur më 24 gusht, rreth orës 20:30, në magjistralen Podujevë–Prishtinë, në fshatin Lluzhan, afër shkollës fillore.
Bulliqi ishte duke lëvizur si këmbësor kur u godit nga një automjet, ndërsa shoferi ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
70-vjeçari kishte pësuar lëndime të rënda dhe ishte dërguar me urgjencë në QKUK.
Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, mëngjesin e 25 gushtit, rreth orës 09:55, Salih Bulliqi ndërroi jetë në Klinikën Torakale të QKUK-së.
Me urdhër të Prokurores kujdestare, trupi i pajetë ishte dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
