Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata Themelore në Prizren, ndaj të pandehurit F.U., (shtetas i Turqisë) i cili me vendim të Prokurorit të Shtetit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh nga data 21.03.2022.
Sipas kërkesës së prokurorisë, “i pandehuri F.U., nga data e pavërtetuar e deri me datë 16.02.2022, pa autorizim, ka kultivuar bimën e hashashit, shkurres së kokainës ose bimën e kanabisit, me qëllim të prodhimit të narkotikëve, në atë mënyrë që në bashkëkryerje me të pandehurit: A.R., E.M., F.M., E.D., M.V., dhe A.M., kanë kultivuar bimën narkotike brenda një objekti që ka shërbyer si mulli në fshatin Shirokë- Komuna e Suharekës, dhe atë në katin e 7-të, kati i fundit të objektit të cekur, ashtu që me datë 16.02.2022, rreth orës 14:15 minuta, me rastin e ekzekutimit të urdhër kontrollit, në objektin e cekur është zbuluar vendi ku bëhej kultivimi i bimës narkotike, pajisjet dhe materialet për kultivimin e bimës narkotike si dhe rreth 32 kg, substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, e cila ishte në procesin e tharjes, si dhe 2059 saksi – vazo, që kishin të mbjellura bimë të dyshuara të llojit kanabis sativa”, njofton prokuroria.
“Me këto veprime, i pandehuri kishte për të kryer veprën penale “Kultivimi i bimës se hashashit, shkurrës së kokainës ose bimëve të kanabisit”, nga neni 272 të KPRK-së. Po ashtu, i pandehuri i lartëcekur pa autorizim ka poseduar me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, ose ofrimit për shitje, substancën të dyshuar për narkotikë, të llojit marihuanë, të shpallur me ligj si narkotik, të cilat i ka siguruar nga kultivimi i bimës narkotike, e të cilën substancë e ka ofruar për shitje apo shpërndarje personave të tjerë tani për tani të paidentifikuar. Në këtë mënyrë, i pandehri F.U., kishte për të kryer vepër penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” sipas KPRK-së.