Cristiano Ronaldo është në pritje të dritës jeshile për transferimin e tij te Manchester City, ndërsa mediat angleze zbulojnë se portugezi pritet të bëhet futbollisti më i paguar i skuadrës së drejtuar nga Pep Guardiola.
Plot 510 mijë paundë në javë janë treguar të gatshëm të paguajnë “citizens” për shërbimet e portugezit, një shifër kjo rreth 125 mijë paundë më e lartë se e belgut Kevin De Bruyne, i cili është aktualisht më i paguari në “Etihad Stadium”.
Megjithatë drejtuesit e Manchester Cityt, pasi dështuan të marrin Harry Kane, duken gati të paguajnë këtë shifër për Ronaldon, por tani do të duhet të arrijnë një marrëveshje me italianët e Juventusit, pasi CR7 ka edhe një vit kontratë me ta.
Pretendimet e torinezëve janë për rreth 30 milionë euro kesh, ose një futbollist në këmbim, ndërsa drejtuesit e Manchester City-t janë duke reflektuar për të parë se cila do të jetë mënyra më e mirë për të paguar kartonin e portugezit.
E ndërkohë që vijojnë negociatat për kompletimin e transferimit, te Manchester City i druhen rebelimit të një pjese të mirë të yjeve të skuadrës, që me ardhjen e Ronaldos me një pagë të tillë, do të kërkojnë gjithashtu rritje të rrogës, duke kërcënuar me largim.
Lista e “rebelëve” mund të jetë vërtetë e madhe, pasi përveç De Bruyne me 385 mijë paundë në javë dhe Sterling me 300 mijë paundë në javë, një pjesë e mirë e titullarëve paguhen nga 10 deri në 40% e pagës që i është premtuar Ronaldos.